112 të punësuar në Higjienën Komunale në Shkup mbetën pa punë, ja ish i punësuar akuzon drejtoreshën

news
Advertisement

Na tha “nuk na duheni” dhe nuk na i vazhdoi kontratat 112 të punësuarve të rregullt në Higjienën Komunale, në vend tonin u.d. drejtoresha Kosana Mazneva punësoi 41 persona. Mbi 95% prej të përjashtuarve jemi shqiptarë, të cilëve pa asnjë arsye dhe paralajmërim na kanë thënë, prej nesër mos ejani në punë duke na lënë në udhëkryq në këtë kohë krize. Kështu deklarojnë për Portalb.mk, katër ish punonjës të Higjienës Komunale të Shkupit (HKSH), të cilëve më 4 nëntor u ka skaduar kontrata e punës dhe më pas nuk u është vazhduar.

Advertisement

Në mesin e të përjashtuarve gjen lloj-lloj histori të trishta. Rrëfime të cilat tregojnë në fakt se si funksionon shteti ynë – të sjellin listën në zyrë dhe duhet të lutesh që ta gjesh emrin tënd aty sepse po nuk e gjete – mbete pa paratë që deri dje gjysmën e tyre ta hante shtrenjtimi i çmimeve si pasojë e shumë krizave të ngjizura në Maqedoninë e Veriut.

Abdulazizi, Lirimi, Samiri dhe Milaimi janë vetëm katër prej 112-ve të përjashtuar, të cilët për Portalb.mk, treguan se si u larguan nga puna.

Po nuk e gjete emrin në listë je i përjashtuar
4 nëntor 2022, ora 15.00, Abdulaziz Amiti ndodhet në zyrën e Arkivit të HKSH-së ku është i punësuar tanimë 10 muaj. Është në fund të orarit të punës dhe derisa përgatitet për të shkuar në shtëpi, merr një telefonatë nga udhëheqësit e institucionit që këtë ditë të mos e mbyll arkivin sikur ditët e zakonshme, por të pret që të largohen njëherë të gjithë punëtorët.

Pas largimit të tyre, në Arkiv, arrin një listë me nënshkrimin e drejtoreshës, në të cilën ndodhen emrat e disa prej të punësuarve.

Abdulazizi dhe kolegët e tij është dashur t’i lexojnë të gjithë emrat që gjenden aty, që ta kuptojnë nëse prej nesër do të jenë në punë ose jo. Në listë kanë qenë vetëm emrat e atyre që u është vazhduar kontrata. Atyre që nuk është vazhduar janë lënë vetë ta kuptojnë që prej 5 nëntorit nuk do të jenë më në punë.

Abdylaziz Amiti, foto nga arkivi personal gjatë orarit të punës
Abdylaziz Amiti, foto nga arkivi personal gjatë orarit të punës
“Emri im nuk ishte në listë dhe do të thotë që nuk më është vazhduar kontrata. I kemi dhënë drejtoreshës ultimatum një javë, të hënën kishte mbledhje komisioni që prapë të kthehemi të gjithë. Duhet të largohen ata që nuk vijnë në punë, a në fakt na kanë nxjerr neve që shkojmë në punë. Sipas asaj që kam dëgjuar, tani me intervenime, shantazhe kanë nisur të kthejnë në punë nga një nga dy, por këtë s’mund ta konfirmoj”, thotë Abdulaziz Amiti, duke shpjeguar se mosvazhdimit të kontratës nuk i ka paraprirë asnjë njoftim apo paralajmërim.

Siç thotë ai shumica e të punësuarve të larguar na puna janë shqiptarë.

Ai thotë se madje, drejtoresha Mazneva ka punësuar 41 persona, derisa ka lënë “pa bukë” 112 të tjerë nën arsyetimin se është mbingarkesë për buxhetin.

“Para se me na nxjerr neve prej punës i ka punësuar 20 persona, ndërkaq pasi na ka përjashtuar, i ka punësuar edhe 21 persona tjerë, pra gjithsej 41. Kjo nuk është bë prej numrit të madh, numri ndoshta është i madh, por prej atyre që nuk vijnë në punë dhe ato duhet të largohen, e jo këta që kanë qenë të rregullt. Është problem të vërtetohet se kush vjen e kush s’vjen në punë sepse secili e mbron veten e vet, ndërmarrja funksionon në mënyrë partiake dhe jo siç duhet. Kanë mbajtur ushtarë partiak dhe është shumë problem”, thotë Amiti.

Abdulazizi momentalisht është pa punë, ndërkaq në barrë të vet ka familjen e tij dhe 4 jetimë të vëllait. Ai kërkon që të rikthehet në punë, pasi nuk ka ndonjë arsye që të përjashtohet, në kohën kur militantë partiak punësohen.

Mos eja nesër në punë, s’je në listë
“Erdha prej punës në shtëpi, në ora 7 të mbrëmjes më lajmëruan dhe më thanë prej nesër mos hajde në punë sepse emri jot nuk është listën e të punësuarve që u është vazhduar kontrata”, kështu e ka marrë lajmin për largimin nga puna Lirim Terziqi, i cili ka punuar në sektorin për kontrollimin e kamionëve nëpërmjet sistemit të GPS.

“Ligjërisht tre ditë është dashur të na tregojnë më herët. Punën e kam bërë, pa asnjë arsye më ka thënë që ti nuk je në punë më. Me sa e di unë ka njerëz që nuk shkojnë në punë dhe marrin rroga, por neve që na kanë nxjerrë prej pune kemi qenë të rregullt”, shtonë Lirimi.

Ai thotë se drejtoresha ka sjellë punëtorë të rinj përpara dy javëve dhe kërkon që menjëherë të rikthehen në punë punëtorët e rregullt.

“Kërkojmë të na kthejë në punë. 99% prej të punësuarve janë shqiptarë. Kam kërkuar që të takohem me drejtoreshën, por s’na pranon. Para 2 jave ka sjellë punëtorë të ri. Në qoftë se është krizë, atëherë s’duhet të sjellë punëtorë tjerë”, thotë Lirimi i cili ka mbetur pa punë.

Ende nuk e di se a jam apo jo në punë
Jurist i diplomuar, Samir Alija 5 muaj punoi në Higjienën Komunale, por sot e kësaj dite nuk e di a është apo jo në punë sepse nuk ka marrë kurrfarë njoftimi zyrtar.

Samir Alija, foto nga arkivi personal, gjatë orarit në punë
Samir Alija, foto nga arkivi personal, gjatë orarit në punë
“As sot nuk e di që a jam apo s’jam në punë. Nëpërmjet shoqërisë, kolegëve të punës, më kanë treguar që i kanë nxjerrë 112 persona dhe unë jam në mesin e tyre – dhe me kaq ka mbetur. 2 muaj kam qenë udhëheqës sektori, kur erdhi drejtoresha e re [Kosana Mazneva], më dërgoi me një vend tjetër ku qëndrova 8 ditë dhe pastaj ma uli edhe pozitën, më emëroi këshilltar i udhëheqësit të zonës. Nuk ekziston asnjë arsye se pse nuk na kanë vazhduar kontratën. Në punë kam qenë për çdo ditë prej orës 7-7:20 deri në ora 3, e kanë evidencën sepse çdo ditë jemi evidentuar me kartelë. Asnjë ditë nuk kam munguar”, thotë Samiri.

Ai kërkon që të rikthehen në punë punëtorët e rregullt, dhe të mos bëhen ndarje në baza nacionale, partiake, fetare.

“Prej 112-ve vetëm 2 janë të komunitetit rom dhe 2 të komunitetit maqedonas, tjerët janë krejt shqiptarë. Të gjithë këta persona kanë familje dhe fëmijë, secili sheh ta mirëmbajë atë familjen e vet në këtë kohë krize, për një gojë bukë. Kërkojmë gjithashtu edhe të japë dorëheqje drejtoresha”, thotë Samir Alija.

Vendet e punës mbushen me militantë partiakë

Më 14 nëntor, derisa shteti i kishte sytë e përqendruar në mbledhjen e përbashkët qeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, as 2 kilometra më larg një grup hallexhinjsh të cilët kishin mbetur pa punë, kërkonin llogari para zyrave të drejtorësh Kosana Mazneva për ta pyetur se pse na “latë pa bukë” derisa keni punësuar persona të tjerë partiak.

“Është përjashtuar kolegu ynë jurist, bashkë me bashkëshorten e tij. Bashkëshortes së tij i është ndërprerë Kontrata pas 5 vitesh punë. Është përjashtuar edhe kolegu ynë, i cili me rrogën e tij, krahas familjes së vet, i mban edhe fëmijët e vëllait të tij, i cili vdiq para 3 muajsh në moshën 35 vjeçare. Është përjashtuar njeriu i cili 8 vjet punon larës i kamionëve nën qiell të hapur verë e dimër. Kjo është vetëm një sekuencë e vogël e fateve të njerëzve te ne”, deklaroi gjatë protestës Milaim Aliu, i cili prej 3 janarit 2022 punonte si ndihmës drejtor, por më 4 nëntor emrin nuk e gjeti në listën me emrat e personave që u është vazhduar kontrata.

“Në pyetjen tonë drejtuar drejtoreshës se përse e bën këtë, përgjigjja e saj ishte “Nuk më duheni”. Të silleni kështu ndaj qindra të punësuarve të tu sikur të ishin lecka për pastrimin e dyshemeve është sjellje shumë jonjerëzore, arrogante dhe në mënyrë arbitrare. Ne nuk kemi ardhur të protestojmë për ata që nuk vinin në punë dhe kanë marrë rrogë”, shtoi Aliu.

Ai tha se prej 31.09.2022 e deri më 14 nëntor janë punësuar 41 persona.

“Po na përjashton neve që të bëjë vend për njerëzit e vet. Konstatimi është se ajo nuk e flet të vërtetën, duke thënë se ne Higjienës Komunale i krijojmë shpenzim financiar shtesë”, tha Aliu.

Më 9 nëntor, siç njoftoi “Slloboden Peçat“, Mazneva njoftoi se rreth 80 persona të punësuar nëpërmjet një agjencie të punësimit të përkohshëm, nga të cilët 46 operativë dhe 37 punonjës administrativë, nuk do të vazhdojnë punën në “Higjiena Komunale” pasi kompania nuk ka nevojë për angazhimin e tyre të mëtejshëm. Kontratat e tyre kanë skaduar më 4 nëntor dhe angazhimi i tyre është ndërprerë pas analizave të bëra nga drejtuesit.

Portalb.mk, ka kërkuar përgjigje nga Ndërmarrja Higjiena Komunale Shkup në lidhje me akuzat e punëtorëve si dhe gjithashtu e ka kërkuar edhe listën zyrtare me emrat e të punësuarve të cilëve më 4 nëntor nuk u është vazhduar kontrata e punës. Deri në publikimin e tekstit, vetëm kemi marrë konfirmim se i kanë pranuar pyetjet tona, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Jozyrtarisht, Portalb.mk, ka arritur të ketë qasje deri te lista me emrat e të punësuarve që nuk u është vazhduar kontrata. E njëjta nuk është e plotë, pasi prej 4 faqeve mungon 1. Prej 112 personave, në listë janë emrat e 85-ve. Portalb.mk kërkon që Higjiena Komunale ta vërtetojë ose mohojë autenticitetin e listës, të cilën mund ta shihni më poshtë.

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.