Elton Ilirjani ka ngritur një thirrje të fortë publike për gjendjen e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, duke paralajmëruar se artistja mund të përballet sërish me pasiguri dhe mungesë strehimi nëse institucionet nuk ndërhyjnë menjëherë.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun, Ilirjani tregoi se situata e Parashqevisë nuk ka ndryshuar që prej momentit kur u bë publike historia e saj prekuese, afro një vit më parë.
Parashqevi Simaku rrezikon të kthehet aty ku ishte, e pastrehë! Situata e saj është shumë e vështirë. Nuk ka marrë asnjë përmirësim, nuk merr trajtim mjekësor, doli nga spitali dhe nuk është mirë. Një person që rri gjithë ditën në shtëpi humbet motivimin,” – u shpreh Ilirjani.
Ai shtoi se ndihmat e rastësishme nga individë të veçantë nuk mjaftojnë për ta mbajtur këngëtaren në kushte të qëndrueshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga shteti shqiptar:
“Ajo ka nevojë për ndihmë që t’i mundësojë të bëjë dokumentet, të marrë ID-në amerikane dhe shqiptare, si dhe trajtim mjekësor. Ndihma e shtetit është jetike në këtë rast.”
Ilirjani përmendi edhe ndihmën e Kadri Morinës, i cili ka mbuluar përkohësisht shpenzimet e saj deri në janar, por paralajmëroi se nëse nuk veprohet, Simaku mund të mbetet sërish në rrugë.