Familja është çerdhja e moralit tonë

news
Advertisement

Shkruan: Abdusamed Zekiri

Advertisement

Mysafirë të Allahut dhe xhemat i dashur, në këto çaste të xhumasë, të takimit tonë javor, dëshiroj të flas për një temë që sa është aktuale, aq është edhe e rëndësishme, bile edhe trishtuese. Fjalën e kam për temën e familjes.

Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë, në ajetin e parë të kaptinës “En-Nisa” (Gratë), thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju. ”.

Komentatori i famshëm i Kur’anit, Sejid Kutub, përkitazi me këtë ajet ka thënë: “Ky ajet aludon në atë se baza e jetës njerëzore është familja. Ka qenë vullnet i Zotit që kjo gjini në tokë të fillojë me një familje. Fillimisht e krijoi një shpirt, pastaj prej tij e krijoi bashkëshorten e tij dhe kështu u formua një familje prej dy bashkëshortëve… Sikur të kishte dashur Zoti, në fillim do të krijonte shumë meshkuj dhe femra dhe do t’i bashkonte mes vete, ashtu që do të bëheshin familje të ndryshme që në fillim, pa pasur mes tyre farefisni…, por deshi Zoti që gjinia njerëzore të fillojë prej një familjeje… Kjo flet për kujdesin e madh ndaj familjes në sistemin islam…”

Nga ajeti i sipërcituar dhe nga komenti i shpjeguar e kuptojmë se Zoti e ka lidhur krijimin e njeriut me krijimin e çiftit të parë mashkull dhe femër. Në literaturën islame, gjithkund kur lexojmë për jetën e njeriut, e gjejmë se bërthama e organizimit social të shoqërisë është familja. Dhe, kur themi familje, kjo nënkupton atë e që e ka thënë i madhi Zot “Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre”. Në fakt, për çiftet Zoti flet edhe në kaptinën “En-Nexhm” (Ylli), në ajetin 45, kur thotë “se Ai krijon çiftet, mashkull e femër” ose edhe në ajetet e para të kaptinës “El-Lejl” (Nata), kur thotë: “Për natën që mbulon (me terr), për ditën që agon dhe për Atë që ka krijuar mashkullin dhe femrën!”.

Xhemat i nderuar, sa herë që sot në mjedisin tonë dikush dëshiron ta quajnë familje edhe një bashkësi sociale, që nuk është në modelin e çiftit kuranor, pra mashkull dhe femër ose burrë e grua, ata që e bëjnë këtë – përveç që e kanë shkelur një kriter kuranor se çfarë është familja – ata kanë bërë edhe një diskriminim të lartë ndaj nesh, sepse një organizim social që ne e kemi kultivuar dhe mbrojtur që nga fillimi i jetës e deri në ditët tona, sot duan të na e shtrembërojnë dhe devijojnë. Edhe te kombi ynë fisnik, por edhe në fenë tonë të shenjtë, familje ka qenë dhe do të mbetet vetëm bashkësia mes një burri dhe një gruaje, që lidhet me bekimin e familjeve të tyre dhe në konditat e martesës islame. Andaj, secili që dëshiron ta quajë familje një çift të gjinisë së njëjtë, përveç që synon ta legalizojë një deficit hormonal ose një ves të pamoralshëm, e godet rëndë edhe traditën tonë fetare dhe kombëtare.

Derisa e përgatisja këtë hutbe më është dashur të gjurmoj se cili është trajtimi i Islamit për homoseksualizmin dhe çfarë thonë dijet islame për këtë ves shoqëror. Është interesant se, përveç ngjarjes së popullit të Lutit a.s., ku Zoti flet me përçmim për vesin homoseksual të atij populli, që ishte arsyeja për dënimin e tyre, nuk gjen asgjë tjetër. I shikova edhe hadithet e Muhamedit a.s. dhe po ashtu nuk gjeta asgjë. Në anën tjetër me qindra hadithe në koleksionin e Buhariut hadithe flasin për martesën e për familjen. Kjo më bëri të gjurmoj në traditën e dijeve islame. Në këtë mënyrë arrita në shpjegimin se arsyeja se pse Kurani i shenjtë dhe hadithet e ndershme nuk e kanë trajtuar fare këtë çështje është sepse Islami është fe e natyrës njerëzore dhe flet për gjëra të natyrshme. Kur Kurani e përmend familjen dhe kur Muhamedi a.s. i referohet familjes, kjo dihet se është bashkësi sociale e çiftit burrë-grua, ngase në traditën islame martesa mes një burri dhe një gruaje është natyrë njerëzore. Ndërsa martesa mes njerëzve të gjinisë së njëjtë është denatyrim, shfytyrim i natyrës njerëzore. Çifti burrë dhe grua është natyra njerëzore për vazhdimin e jetës, ndërsa e a.q. martesë mes dy burrave ose dy grave, është kundërnatyrore dhe kundër moralit kuranor e kundër moralit tonë të trashëguar.

Ç’është e vërteta, një e treta e rregullave juridike të Kuranit kanë të bëjnë me familjen dhe rregullimin e harmonisë së saj. Kurani flet për ambientin e qetësisë, prehjes shpirtërore, të mëshirës dhe të dashurisë, të cilën e formon sistemi familjar dhe ai e bën këtë sistem një prej argumenteve të urtësisë, të fuqisë dhe të madhështisë së Allahut.

Vëllezër dhe xhemat i pranishëm në këtë xhuma, ashtu si Organizata Botërore e Shëndetësisë deri në vitet e ’50-ta të shekullit të kaluar, Islami e konsideron homoseksualizmin si ves shoqëror, që mund jetë sëmundje kur personi ka probleme hormonale, ose mund të jetë perversitet ose amoralitet kur kjo bëhet për arsye sociale. Por, ama derisa Organizata Botërore e Shëndetësisë, për motive të ndryshme, e ka ndryshuar qëndrimin, ashtu që homoseksualizmin e ka shndërruar në homonormalitet, madje duke thënë se gjinia nuk është tipar me të cilin njeriu lind, por është një përzgjedhje e jona në jetë, Islami ynë nuk ndryshon siç ua ka ëndja njerëzve të tillë. Islami ynë na mëson se Zoti na ka ndarë në meshkuj dhe femra, siç thotë Ai në ajetet e sipërcituara.

Përveç kësaj, ruajtja e këtij çifti – siç e ka krijuar Zoti – është ruajtje edhe e ekuilibrit hyjnor për baraspeshën e mrekullueshme që Zoti e ka vendosur në botë. Prandaj, nëse argumenti për këtë devijim shoqëror është se shkenca nuk e ndalon dhe nuk ka vërejtje për homoseksualizmin, pyetja jonë për shkencën është: Si ndodhë që gjithmonë ekuilibri gjinor në botë të ruhet në mënyrë të mrekullueshme gjithnjë me dallime jo më shumë se 2%? Kush e bën këtë? Çfarë është merita e shkencës për këtë ekuilibër? Kush e ka rregulluar që bota gjithnjë të jetë diku mes 48 e 52 për qind meshkuj ose femra? Dhe, në fund, pse dikush dëshiron ta rrënojë këtë ekuilibër?

Është e vërtetë se moderniteti e ka pranuar se gjinia është përzgjedhje e lirë, se familja mund të jetë edhe bashkësi homoseksuale, madje se edhe prindëria mund të jetë adoptim i fëmijëve në familje homoseksuale, por kjo nuk duhet të na druajë që ne të pohojmë se familja është vetëm bashkësi heteroseksuale, pra mes një burri dhe një gruaje, dhe se prindër janë vetëm nëna dhe babai, përmes të cilëve një fëmijë vjen në këtë botë. Xhemat i dashur, fëmijët nuk janë as lodra, as kafshë që e mbushin shtëpinë me zhurmë, që dikush të bëjë eksperimente me ta. Ata janë njerëz që vijnë në botë me mision të lartë – për ta vazhduar llojin njerëzor, për ta vazhduar jetën dhe për ta adhuruar Allahun e Madhërishëm.

Prandaj, të nderuar vëllezër, duke e përsëritur se Islami e afirmon atë që është e natyrshme, që në Islam njihet me nocionin fitrah, ne besojmë se vetëm nëse e pranojmë natyrën njerëzore, vetëm nëse e pranojmë se gjinia është caktim i Zotit dhe jo zgjedhje e jona, vetëm nëse e pranojmë se martesa është vetëm mes një burri dhe një gruaje dhe vetëm nëse e pranojmë se fëmija është produkt i një martese mes një burri dhe një gruaje, kemi pohuar se jemi në të vërtetën absolute të përligjur me Islamin tonë, por edhe me traditën e lashtë njerëzore deri në modernitet, kur – në emër të individualizmit – u lejua që perversiteti ose sëmundjet hormonale të pranohen si diçka normale, ndërsa familja u godit në mënyrën më të egër.

Dhe, këtë që e them, nuk e kam zgjedhur rastësisht për sot dhe në këtë xhuma. Ne e dimë mirë se edhe në shtetin tonë, ashtu si edhe në Kosovë, synohet të ndryshojë kodi civil, që gjinia të mund të ndryshojë me një deklaratë në noter, gjë që mundëson pastaj edhe martesë mes dy gjinive të njëjta. Duke qëndruar në këtë minber të Resulullahut, dua t’u bëj thirrje deputetëve myslimanë, por edhe atyre të krishterë – pse jo, që mos ta votojnë këtë ligj, sepse kjo bie ndesh edhe me natyrën njerëzore, edhe me fenë e Isait a.s., edhe me fenë e Muhamedit a.s., por edhe me traditën tonë. Ndonëse kjo hutbe nesër mund të tingëllojë si homofobi, siç kanë qejf ta interpretojnë secilin që e mbron familjen tradicionale, por si hoxhë që duhet ta flasë të vërtetën islame dhe ta mbrojë atë pavarësisht interpretimeve, u bëj thirrje edhe kolegëve të mi hoxhallarë, por edhe teologëve të krishterë, që ta mbrojnë familjen, sepse kjo është bërthama që e garanton jo vetëm llojin njerëzor, jo vetëm mrekullinë e ekuilibrit natyror, por familja është bërthama që neve na bën njerëz. Në familje ne bëhemi fëmijë, bëhemi djem e vajza, bëhemi të rinj e të reja, bëhemi gra e burra, bëhemi nëna dhe baballarë dhe në fund bëhemi gjyshër. Familja është çerdhja që e ruan traditën, që e ruan historinë tonë, që e ruan fenë tonë, që e ruan moralin tonë, që na e mëson turpin, mirësjelljen dhe dashurinë mes vete. Pa familje ne jemi individë të braktisur, ndërsa me familje ne jemi qenie sociale që kanë kuptim dhe rol në shoqëri.

Të dashur vëllezër, kombi që ka pasur familje si ajo e Adem Jasharit nuk mund të përfundojë në familje homoseksuale.

Duke u lutur që Zoti ta bekojë familjen tonë siç e ka bekuar familjen e Ademit a.s. me Havanë, siç e ka bekuar familjen e Muhamedit me Hatixhen r.a. dhe siç e ka bekuar familjen e Aliut r.a. me Fatimen r.a., lutem që devijimet që na imponohen të shporren nga mjedisi ynë dhe ummeti ynë, kombi e familja jonë të vazhdojnë të jetojnë e të frymojnë në këtë traditë ashtu siç kemi jetuar e frymuar me shekuj. Amin. Ashtu qoftë!

Autori është hatib në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup

Shkup, 9 shtator 2022

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.