Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark do nisë pas pak dëshminë në Gjykatën Speciale të Hagës, si dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.
I njëjti kishte hyrë një orë më herët në ambientet e Gjykatës Speciale, raportoi ekskluzivisht gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku.
Siç raportoi Mujku, Clark bëri këtë veprim për t’u mos takuar me askënd te hyrja e Gjykatës, njofton Klankosova.tv.
Ndërkohë, sipas Mujkut, e cila po qëndron në Hagë nga dje, dhe do ta përcjellë nga afër dëshminë e Clarkut, ai fillimisht do të pyetet për të kaluarën e tij, për gjithë përvojën ushtarake që ka pasur para se të shërbente si gjeneral me katër yje dhe si kryekomandant i Forcave Evropiane të NATO-s, e më pas do të pyetet për gjithçka që di në lidhje me luftën e fundit në Kosovë.
Tema e parë që mbrojtja e Thaçit do të ngrejë ndaj Clarkut do të jetë përpjekja e tij për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Sllobodan Millosheviqit dhe Ibrahim Rugovës në tetor të vitit 1998, e më pas për Rezolutën 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.