Komplikohet situata për hyrjen e ASH-së në Qeveri, ja çfarë po ndodh!

news
Advertisement

Për çfarë arsye po i duhet Qeverisë që ta bëjë Aleancën për Shqiptarët pjesë të sajën. Shumica parlamentare numëron 64 deputet dhe është stabile, të paktën kështu thonë numrat. Megjithatë dy partnerët e koalicionit, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti po zhvillojnë bisedime me ASh-në.

Advertisement

“Me Aleancën, takimet d.m.th. me përfaqësues të tyre i kam bërë unë. Ka bërë takim edhe Kovaçevski me zotëri Taravarin. Do të shohim çfarë epilogu do të ketë nga bisedimet që do bëhen në mes të palëve”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

“Mund të konfirmoj që për resorë konkrete dhe marrjen e përgjegjësive për momentin nuk është biseduar marrë parasysh që bisedimet janë realizuar në nivelin e konceptit politik dhe në nivelin e vlerave politike”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi tha se në Qeveri janë të mirëseardhura të gjitha partitë pro-europiane sepse i tillë është momenti politik që imponon bashkëpunim më të gjerë.

“Të gjitha forcat që përkrahin integrimin europian të Maqedonisë së Veriut duhet që t’i koncentrojnë forcat për realizimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të gjitha reformave të nevojshme”, Artan Grubi BDI.

Por jo të gjithë brenda BDI-së e mirëpresin zgjerimin e mundshëm të Qeverisë me ASh-në. Për shembull bashkëpartiaku i Grubit, Izet Mexhiti vlerëson se shumica parlamentare nuk ka nevojë për ASh-në.

“Kështu që nuk duket iniciativë e shëndoshë që do i ndihmonte proceset, më tepër shihet… nëse ndodhë, mund të jetë koalicion i interesave por jo i integrimeve, të presim ditëve në vijim, ta shohim vlerësimet që do të jenë, në bazë të asaj edhe ne do të japim opinionin tonë”, Izet Mexhiti, BDI.

E nëse BDI ka mendime të ndara brenda vetes, Alternativa nuk duket aspak entuziaste që në Qeveri të futet edhe ish-partneri i tyre Aleanca për Shqiptarët, kjo për shkak se me sa duket nuk u pëlqen që të lëshojnë ndonjë kolltuk ministror ose të ndonjë drejtorie. Thonë se LSDM dhe BDI duhet t’i japin ASH-së resorë me të cilët udhëheqin.

“E vetmja parti të cilës i luhatën ato numra është BDI për shkak të ashtuquajturit “grupi i zjarrit”, i cili mund të largohet. Nëse ASh hyn që ta kompensojë humbjen e këtij numri të BDI, është çështje e tyre, ne nuk mund të ndërhyjmë. Sigurisht se ata që e ftojnë, duhet t’ia bëjnë edhe sajginë asaj”, pohoi Zeqirija Ibrahimi, Alternativa.

I pyetur nëse BDI është e gatshme të japë ndonjë resor, Ali Ahmeti tha se ende nuk është folur për këtë gjë. Sipas burimeve jozyrtare, LSDM kërkon që BDI dhe Alternativa të japin ndonjë ministri sepse brenda LSDM-së dhe në opinion ka reagime se me tepër se gjysma e qeverisë i bie që të udhëhiqet nga ministra shqiptarë. Po edhe pse debati është zhvendosur tek resorët, ASh ende nuk ka një vendim përfundimtar për hyrjen në Qeveri, gjë që u.d kryetar i ASh-së Arben Taravari, tha do të merret nga organet e partisë.

“Nuk e hedhim mundësinë për të qenë pjesë e Qeverisë. Unë mendoj se anëtarësia është ajo e cila duhet të vendos pastaj organet partiake, natyrisht Komisioni për organizimin e kongresit dhe Kuvendi qendror i partisë i cili funksionon pa marrë parasysh se do të kemi kongres të parakohshëm më 17 dhjetor”, pohoi Arben Taravari, kryetar i ASh-së.

Sido që të jetë, edhe me përfshirjen e ASH-së në qeveri, pushteti nuk i siguron 80 votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve. Do t”i mungonin edhe 8 deputetë për të arritur 2/3-tat./TV21

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.