Mali i Zi nënshkruan marrëveshjen me Kishën serbe

news

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, konfirmoi të mërkurën se është nënshkruar Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd.

Advertisement

Pa paralajmërim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve, mëngjesin e sotëm në Podgoricë ka mbërritur patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periç.

Vila Shtetërore “Gorica”, ku u nënshkrua Marrëveshja Themelore, ndodhet nën masa të rrepta sigurie nga policia.

Qeveria e Malit të Zi kishte miratuar më 8 korrik Marrëveshjen Themelore.

Marrëveshja Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.

Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.

Qeveria e Malit të Zi nuk e ka publikuar zyrtarisht datën e nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore, ndërsa kryeministri Dritan Abazoviç ka mohuar informacionet jozyrtare se nënshkrimi është caktuar për 3 Gusht.

Për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore reagoi e para Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviçit, e cila njoftoi se sot do të nisë nismën për votëbesimin e qeverisë së Dritan Abazoviçit.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re“, thuhet në njoftimin e DPS-së.

DPS e Gjukanoviçit, si partia më e madhe në Parlament, deri më tani e ka mbështetur qeverinë pakicë të Dritan Abazoviçit.Ajo gjithashtu ka dhënë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për funksionimin e saj.

Marrëveshja ka nxitur partinë opozitare Fronti Demokratik – që mbështet nënshkrimin e marrëveshjes – të kërkojë po ashtu dorëheqjen e Abazoviçit. Por, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se nuk do të japë dorëheqjen./REL

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.