Në mbledhjen konstituive të Këshillit Komunal të Kërçovës u zyrtarizua një marrëveshje mes VMRO-së, VLEN-it dhe LSDM-së, përmes së cilës u zgjodh një kryesues që nuk e flet gjuhën shqipe një vendim i konsideruar fyese dhe i papranueshëm për shumicën shqiptare të komunës.
Sipas këshilltarëve të Aleancës për Integrim (AKI), kjo marrëveshje u realizua në mënyrë të fshehtë, pa transparencë dhe duke përjashtuar qëllimisht AKI-në nga bisedimet. Ata e cilësojnë këtë akt si kompromis të interesave partiake ndaj parimeve kombëtare dhe tradhti ndaj besimit të qytetarëve shqiptarë.
AKI deklaron se ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim dhe për krijimin e një shumice funksionale, por ftesat e tyre janë injoruar. Ata e akuzojnë koalicionin VLEN se ka vendosur pushtetin mbi përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve të Kërçovës. Përballë kësaj situate, AKI premton të qëndrojë si zëri i qytetarëve, duke mbrojtur transparencën, drejtësinë dhe interesin publik, duke kundërshtuar çdo pazar politik që dëmton dinjitetin dhe zhvillimin e komunës.