Më në fund paga minimale europiane? Rritja që premton Rama në janar viti 2026

News

Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij “Flasim”, deklaroi se javën që lamë pas e cilëson si një javë plot lajme të mira, ku kryefjalë ka qenë vendosja e pensioneve në qendër të mandatit të katërt të qeverisë.

Rama tha se objektivi tashmë është i qartë: pensioni mesatar urban i plotë të arrijë në 400 euro, ndërsa pensioni rural mesatar minimal në 180 euro, duke nënvizuar se fondet e nevojshme janë përfshirë në buxhetin afatmesëm.

🗣️ “Jemi zotuar për çuarjen e pensioneve në nivele krejt të ndryshme nga sot dhe ky është angazhimi i mandatit të katërt”, tha Rama.

Ndërkohë, kreu i qeverisë theksoi edhe njëherë se nga janari në Shqipëri nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

🗣️ “Ligji i buxhetit 2026 do të sanksionojë se në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë pagë më të ulët se 500 euro” – shtoi ai.

Rama përmendi gjithashtu se më 17 nëntor hapet grupi i fundit i kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë një moment historik:

🗣️ “Asgjë nuk na ndal më. Tani sfida është mbyllja e kapitujve. Ekonomia rritet, pensionet dhe pagat rriten, investimet shtohen dhe asnjë taksë nuk parashikohet të rritet.”

Sipas tij, mbështetja për shtresat në nevojë dhe pacientët me sëmundje të rënda do të zgjerohet, ndërsa puna e institucioneve do të vijojë drejt përmirësimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *