Gratë në STEM: Shkencëtarja e famshme muslimane që zbuloi një galaksi të re, e cila u emërua me emrin e saj
Instituti për Studime Mesjetare dhe Pas Mesjetare (IMPMS) ka ftuar shkencëtaren turke, e cila hyri në histori si gruaja e parë muslimane që kishte një galaktikë me emrin e saj, për të folur në Universitetin e Teksasit në Dallas këtë fundjavë.
Burçin Mutlu-Pakdil, Ph.D., do të flasë për galaktikën e rrallë, PGC 1000714, të cilën ajo ndihmoi që të zbulohet në vitin 2016. Ajo gjithashtu do të prezantojë kërkimet e saj aktuale mbi materien e errët, vrimat e zeza dhe galaktika të tjera të veçanta me unaza. Zbulimi i galaktikës së saj xhuxhe ngre shumë pyetje rreth mënyrës se si funksionon Universi.
“Kjo galaktikë e veçantë ka dy unaza pa materiale të dukshme të lidhura me to,” tha Dr. Basheer Ahmed, President i IMPMS. “Është një fenomen që askush nuk e kishte parë më parë.
Që nga zbulimi i saj novator, Mutlu-Pakdil ka marrë disa çmime dhe nderime. Ajo aktualisht shërben si studente postdoktorale me Fondacionin Kombëtar të Shkencës dhe Institutin Kavli për Fizikën Kozmologjike në Universitetin e Çikagos.
Mutlu-Pakdil është një astrofizikane nga një qytet i vogël në Turqi. Ajo është anëtarja e parë e familjes së saj që mbaron shkollën e mesme. Ajo mori doktoraturën e saj në astrofizikë nga Universiteti i Minesotës, ku ajo gjeti galaktikën që tani quhet galaktika e Burcin.
“Historia e saj dhe këmbëngulja në dëshirën e saj për të arritur qëllimin e saj të përjetshëm për të qenë një astrofizikane është shumë magjepsëse dhe mund të shërbejë si burim frymëzimi për studentët e rinj në këtë vend apo kudo në botë,” tha Dr. Basheer.
Mutlu-Pakdil, e cila ka treguar se sa e vështirë ishte për të si grua të ndiqte një karrierë në shkencë, pranon se fillimisht u përball me dyshime nga familja dhe komuniteti i saj kur filloi shkollimin e saj në Universitetin Bilkent në Turqi. Por pasioni i saj për yjet e mbajti atë, pasi mori vendimin e guximshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar shkollimin në Universitetin Teknik të Teksasit.
Myslimanët kanë studiuar shkencën dhe shkencat humane që përpara epokës së errët të Evropës, sipas Dr. Basheer, i cili themeloi IMPMS në 2009, me shpresën për “të ndihmuar në krijimin e një klime të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë midis njerëzve, të të gjitha besimeve dhe kulturave”. Ai thotë se qytetërimet myslimane të Mesjetës ndoqën diturinë me frymëzim nga Kurani.