Si të Rrisni Vetë Boronica në Shtëpi

news
Advertisement

Boronica është një frut i madhërishëm që rritet kryesisht në vendet me klimë të freskët, siç është Shqipëria. Boronicat janë një frut që gjenden me vështirësi dhe janë përgjithësisht të shtrenjta, sidomos kur janë të freskëta.
Ndaj, AgroWeb.org dëshiron t’ju japë disa këshilla mbi mënyrat se si mund të kultiovoni boronica.
Për të mësuar më tepër mbi rritjen e boronicave në kushtet e shtëpisë, AgroWeb.org ju fton të shikoni shumë shkurt videon në fund të tekstit.
Boronicat e freskëta janë një nga frutat më të mira të shportës shqiptare të frutave e megjithatë ato rrallë rriten në kopshte apo hapësira private qytetase.
Nëse në zonën ku jetoni rritet lehtësisht lulja e azaleas, atëherë është e sigurt që edhe boronica do të rritet sepse të dyja i përkasin të njëjtës familje botanike, asaj të Ericaceae.
Me klimën që ka Shqipëria, boronicat e kultivuara rriten lehtësisht. Nga kërkimet e AgroWeb.org rezulton se boronicat tashmë po kultivohen gjerësisht edhe nga fermerët në Shqipëri dhe Kosovë, pasi kërkesat e tregut janë të mëdha dhe nuk mbulohen dot vetëm nga mbledhja e boronicave të egra.
Pothuajse të gjitha fidanishtet apo pikat e tregtimit të luleve me shumicë në Shqipëri dhe Kosovë kanë fidanë të boronicave të cilat mund të përdoren për të realizuar mbjelljen e dëshiruar.
Bima e boronicës çel lule shumë të bukura dhe gjethe me ngjyrë të çelët. Vetë bima mund të përdoret edhe për dekorim të kopshteve tuaja apo tarracave të ndërtesave ku banoni.
Të gjitha bimët rriten deri në më pak se dy metra, gjë që i bën ato ideale sidomos për hapësirat e vogla.
Ku dhe si të mbillni bimën e boronicës?
Boronicat kanë nevojë për një tokë ranore, të kulluar, me aciditet dhe të pasur me lëndë organike. Bima e boronicës është një shkurre me rrënjë të cekëta që kanë nevojë për lagështi të vazhdueshme, por në të njëjtën kohë për një sistem kullimi të mirë.
Uji i shiut është ideal për ujitjen e kësaj bime, ndaj sigurohuni që boronicën ta mbillni në vazo të vendosura në ballkon ose jashtë në kopsht dhe të ekspozuara mirë.
Bima e boronicës ka nevojë të jashtëzakonshme të mbahet jashtë shtëpisë, sepse ajo e adhuron motin e ftohtë.
Boronica rritet shpejt nën ekspozimin e dritës së diellit gjatë gjithë vitit, por mund të rritet edhe në zona me hije të pjesshme.
Këshilla për rritjen e boronicës
Ju mund të blini fidanë të boronicës që ruhen në kontenierë gati për mbjellje gjatë gjithë vitit.
Fidanët apo rrënjët e boronicës i gjeni në fidanishte gjerësisht të përhapura në vend. Por mund t’i gjeni edhe në pikat e tregtimit të luleve dhe në pjesën më të madhe të farmacive bujqësore.
Merrni shkurren pa rrënjë të boronicës dhe zhyteni në ujë për gjysmë ore. Nëse keni marrë bimë të ruajtura në kontenierë, duhet t’i fusni menjëherë në vazo sepse rrënjët thahen shpejt dhe e marrin veten ngadalë.
Në vazo, saksi apo në tokë, duhet të krijoni një gropë të gjerë dhe të thellë 15 cm më shumë se sistemi i rrënjës së bimës. Ujiteni mirë përpara se ta vendosni në dhe’.
Nga hulumtimet e AgroWeb.org, idealja do të ishte të aplikonit ujitje me pika nëpërmjet tubave plastikë të vendosur pranë çdo bime. Në këtë mënyrë do të siguroheni se rrënjët po marrin lagështinë e nevojshme për çeljen e sa më shumë frutave.
Krasitja dhe vjelja
Kur shkurrja e boronicës të jetë pjekur mjaftueshëm ajo do të prodhojë nga 4 në 9 kg fruta në sezon. Mos hezitoni të prisni degët e dobëta, të thara e të këputura gjatë gjithë vitit.
Fruti si fillim çel i fortë dhe në ngjyrë të gjelbër. Por teksa piqet, fillon e zbutet duke marrë ngjyrën karakteristike blu në të zezë, veshur me një tis të bardhë.
Kur frutat të jenë plotësisht në ngjyrë të errët, provojini përpara se t’i mblidhini.
Duhet të dini që boronicat nuk ëmbëlsohen pas këputjes, ndaj sigurohuni që janë komplet të pjekura përpara se t’i këpusni. Ëmbëlsimi i plotë i frutit zgjat një javë pas marrjes së ngjyrës. Këputeni frutin me dorë dhe jo me mjete të tjera kopshtarie.
Boronicat e ngrira nuk e humbasin përmbajtjen e tyre të vitaminave deri për dy vjet. Në rast se nuk gjeni boronica të freskëta, mos hezitoni të zgjidhni ato të ngrirat. Mos harroni që boronica është një nga frutat më të pasura me antioksidantë dhe që ofron një oaz vlerash./AgroWeb.org

Advertisement
Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.