Si u punësua shqiptarja me mbulesë në rrjetin e madh social?

news
Advertisement

“Punë e madhe, durim dhe një personalitet i fortë për të arritur atë që don në jetë”, kështu ka thënë Hava Maloku, që është shqiptarja e vetme që punon në kompaninë e famshme “LinkedIn”. Maloku e lindur në Gjilan një pjesë të shkollimit të saj e ka përfunduar në Prishtinë derisa studimet i vazhdoi në SHBA. Ajo tash e 6 vite punon në platformën e njohur digjitale në pozitën e menaxheres. Të gjithë rrugëtimin e saj ajo e ka rrëfyer në një intervistë në Gazetën Insajderi.

Advertisement

Hava Maloku, i kaloi dhjetë intervista për tu punësuar në platformën e njohur “LinkedIn”, rrjetin social kryesor në botë për profesionistët, për punëkërkuesit dhe bizneset.

Molaku, tash e 6 vite punon në këtë platformë të njohur digjitale në pozitën e menaxheres, dhe është e vetmja shqiptare që punon aty.

Thotë se nuk ishte e lehtë por ia doli.

“Dihet që punësimi në LinkedIn nuk është i lehtë, duhet të kalojmë nëpër shumë intervista, deri në dhjetë prej tyre. Por mendoj që është edhe pak fat, se shumë e shumë njerëz të kualifikuar aplikojnë në çdo çast e nuk përzgjidhen për intervistë”.

“Nganjëherë ndodhemi në vend të duhur dhe në kohë të duhur”, tha ajo për Gazetën Insajderi. 

Maloku është praktikuese e fesë islame dhe e bartë shaminë, thotë se nuk ka hasur në vështirësi në vendin ku jeton dhe madje në “Linkedin” ka një dhomë të veçantë në të cilën u mundësohet të kryejnë obligimet e namazit.

Së fundmi, ajo është bërë pjesë e kampanjës që po zhvillohet në Kosovë për ndryshimin e udhëzimit administrativ për shaminë “Ndryshojeni_ua_për_shaminë”, pasi thotë se e sheh si shkelje të të drejtave moslejmin e shamisë në shkolla.

Gazeta Insajderi: Fillimisht, a mund të na flisni për vetën tuaj? Cili është rrugëtimi juaj, si arritët të punësoheni një ndër kompanitë më të njohura “Linkedin”?

Shkollimin fillor dhe të mesëm e kam përfunduar në Prishtinë. Pas përfundimit të gjimnazit kam fituar një bursë për studime në “Graceland University” që gjindet në Iowa të SHBA-së. Për tri vite kam përfunduar dy drejtime në fakultet: Marrëdhenie të Biznesit dhe Biznes Internacional me orientim në Teknologji Informative. Për studimet e masterit vendosa të shkoj në San Francisco edhe pse nuk e kisha vizituar asnjëherë, por Silicon Valley sa kishte filluar të bëhej, dhe mendova që është një mundësi e mirë për të qenë aty. Masterin në Biznes dhe Administrim (MBA) e kam përfunduar në “University of San Francisco” dhe me të përfunduar kam filluar me punë në San Francisco. Në ndërkohë kam përfunduar edhe doktoraturën në “Golden Gate University” në drejtimin e Marketingut.

Në fillimet e para të karrierës kam punuar për disa startups në fushën e edukimit dhe financave si “Quinstreet” dhe “Adchemy”. Pastaj, kam ndërruar produktin dhe kam vazhduar të punoj për “Expedia”, që është një nga brendet kryesore të udhëtimit në botë. Kam punuar shkurt edhe për një kompani në fushën ligjore të quajtur “Legalzoom” dhe se fundi në “LinkedIn”.

Jeni shqiptarja e vetme që punoni në “Linkedin” a mund ta ndani me ne eksperiencën tuaj, si është të punosh në një kompani aq të njohur?

LinkedIn është një shërbim biznesi dhe punësimi që operon nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve. Në LinkedIn jam duke punuar që 6 vite. Kam qëndruar kaq gjatë se më pëlqen misioni që ka LinkedIn për me i lidhë profesionistët anë e mbanë botës për t`i bërë ata më produktiv dhe më të suksesshëm. Është një platforme e mirë që ju mundëson profesionistëve të paraqesin tërë CV-në e tyre në formë digjitale dhe në këtë mënyrë rekrutuesit mund t`i kontaktojnë për punë të ndryshme ose për bashkëpunim. Arsye tjera që më ka shty të jem në LinkedIn një kohë kaq gjatë është kultura e punës, balanci midis punës dhe kohës së lirë sepse shumë kompani presin të punosh 24 orë për ta. LinkedIn njihet edhe për fokusin që ka në diversitetin e klasës punëtore. Gjithashtu njihet për një shtrirje horizontale të përgjegjësive të menaxherëve dhe sistemit jo-byrokratik që mbretëron brenda kompanisë. Dhe në fund me pëlqen fokusi në filantropi. Për çdo dollarë që i dhurojmë organizatave joprofitabile ata e plotësojnë 100% deri në 15,000 dollarë. Psh nëse unë i jap $1,000 për një organizatë jo-profitable, kompanija i jep 1,000 dollarë në emër timin.

Për me arritë deri këtu është dashtë një punë e përvojë e madhe. Kur kam aplikuar kam pasë një përvojë të gjerë në fushën e marketingut dhe një shkollim të duhur. Dihet që punësimi në LinkedIn nuk është i lehtë, duhet të kalojmë nëpër shumë intervista, deri në dhjetë prej tyre. Por mendoj që është edhe pak fat se shumë e shumë njerëz të kualifikuar aplikojnë në çdo çast e nuk përzgjedhen për intervistë. Ndonjëherë për një rol të vetëm numri i aplikuesve shkon në mbi 1500 persona. E kuptohet që shumica prej tyre janë të aftë dhe të suksesshëm. Nganjëherë ndodhemi në vend të duhur dhe në kohë të duhur. 
A keni pasur ndonjë sfida të mëdha gjatë rrugëtimit tuaj?

Nuk ka qenë shumë sfiduese për shkak se Amerika është vend i mundësive e po punove mund të arrish. Por kuptohet duhet punë e madhe, durim dhe një personalitet i fortë. Arsyeja pse e them një personalitet i fortë dhe i qëndrueshëm është se të duhet me u ballafaqu me situata të ndryshme gjatë rrugëtimit. Nuk vjen gjithçka lehtë e sidomos kur nuk e ke familjen dhe rrethin afër. Të duhet me ndërtu gjithçka vet.

Gazeta Insajderi: Ju një pjesë të shkollimit e keni kryer në Prishtinë sa ka qënë e vështirë për ju integrimi në një vend të huaj?

Sa i përket integrimit, nuk ka qenë e vështirë pasi që kam shku si studente, dmth mjaft e re. Fillimisht e kam përvetësuar gjuhën e pastaj edhe jam ambientuar edhe me kulturën e zakonet. Amerika është një vend shumë divers që ka njerëz me prejardhje nga vendet më të ndryshme. Kështu që ata në përgjithësi janë shumë të hapur dhe i pranojnë, besa edhe i pëlqejnë ushqimet, traditat, veshjet e shumë popujve dhe kulturave të tjera. Në San Francisko ka restaurante nga pothuajse çdo vend i botës. Kështu që në Amerike nuk është shumë vështirë për tu integruar se të pranojnë ashtu siq je, në fakt edhe të çmojë me shumë nëse je vetvetja.

Po në Kosovë sa mendoni se përdoret LinkedIn nga punëtorët dhe bizneset?

Rinia kosovare ka filluar ta shfrytëzoj me të madhe këtë rrjet social sidomos në vitet e fundit. E di kur e kam krijuar profilin tim në vitin 2008 nuk ka pasë shqiptarë fare në platformë. Kanë filluar ngadalë të shtohen në fillim shqiptarët në diasporë e mandej edhe ata në Kosovë. Por sidomos vitet e fundit mendoj që janë vetëdijsu shumë për benefitet e të qenurit pjesë e platformës. Duke marrë parasysh që është rritë numri i përdoruesve, kam pa që japin edhe rekomandime në gjuhën angleze që ta kuptojnë të gjithë anëtarët e platformës. Kjo është për tu duartrokitur.

Të qenurit pjesë e LinkedIn është sidomos e rëndesishme nëse kërkon punë për tregun e jashtëm, qoftë ajo edhe duke punuar nga Kosova. Rinia jonë është mjaft e aftë për tregun ndërkombëtar. Shumica e tyre e zotërojnë gjuhën angleze dhe kanë pregatitje të duhur akademike dhe profesionale. Unë njoh shumë persona që punojnë nga Kosove për kompani të ndryshme në Evropë dhe Amerikë. Sa i përket atyre që ende nuk dinë se nga të fillojnë këshilla ime është të krijojnë një profil në Linkedin dhe një portfolio online ku pasqyrohet në detale projektet që i kanë realizu, CV-ja, dhe rekomandimet nga kolegë apo klientë. Punëdhënësi dëshiron kredibilitet dhe sa ma shumë dëshmi e rekomandime që ke aq më lehtë e merr një punë. Këshilla e dytë është të fokusohen me një drejtim dhe të bëhen ekspert në atë fushë. Kuptohet ajo nuk ndodh për një kohë të shkurtë. Malcom Gladwell ka thënë shumë mirë në librin e tij “Outliers” që në mënyrë që të bëhesh ekspert në një fushë të duhen me i pase mbi 10 000 orë praktikë dhe ka marrë shembull Bill Gates para se ta krijon Microsoftin ka punu 10,000 orë në programim. Si përfundim është një punë e gjatë por jo e pa-arritshme.

E dim që në Kosovë vazhdimisht është diskutuar si problem diskriminimi në punë i vajzave me shamia, a keni hasur ju në ndonjë vështirësi të tillë në vendet ku keni punuar?

Në Amerikë secili respektohet dhe vlerësohet për punën që bën e jo për prejardhjen, fenë, apo racën. Në kompaninë që punoj kemi dhomën e lutjeve, ku mund t`i kryejme obligimet e namazit. Edhe për ushqim kemi shenja të ndryshme se çfarë përbërës ka që të jetë sa me konform besimeve tona. Në Amerikë të pranojnë ashtu siç je, në fakt të çmojnë edhe me shumë nëse je vetvetja

Unë do ta ndaja mesazhin tim për të rinjtë në tri pika:

Vendosi vetes qëllime të larta në jetë. Qëllimet e larta në jetë do të ju shërbejne si mutivues për jetën tande. Vendosja e qëllimeve ndihmon të qëndroni të motivuar dhe ju japin një fokus në jetë. Gjithashtu ju ndihmojnë ta mposhtni zvarritjen e punëve. Këtu vlen të theksohet edhe menaxhimi i tyre. Qëllimet e mëdha duhet të ndahen në ato më të vogëla deri në ato ditore. Psh sot kam qëllim ta lexoj një faqe të një libri. Nëse çdo ditë e lexoj nga një faqe në fund të vitit kam lexu 365 faqe. Ne shqiptarët e kemi një thënie “pika pika mbushet pusi”. Nëse qëllimet e mëdha i ndajmë në të vogëla gjithçka është e arritshme. Nuk ka qëllime të pa-arritshme.

Sa ma shumë networking. Networking është proces i bashkëveprimit me të tjerët për të shkëmbyer informacion dhe për të zhvilluar kontakte profesionale ose sociale. Networking apo lidhja me njerëz kontribuon në mirëqenien tuaj sociale, çon në shkëmbimin e ideve dhe ju ndihmon të takoni njerëz në të gjitha nivelet profesionale. Kjo vlen si për shkollë ashtu edhe për punë. Nuk është vetëm në Kosovë që e marrin punën me të “njofshëm”. Edhe në Amerikë ndodh po e njëjta gjë. Nëse krijoni atë rrjetin tuaj profesional, shumë më lehtë përparoni.

Ec me kohën. Nëse nuk mësojmë dhe avancohemi çdo ditë shumë lehtë dalim nga tregu. Gjërat që kanë funksionuar para 10 viteve nuk funksionojnë më. Puna po ndryshon dita ditës. Nuk mjafton vetëm me kry një fakultet edhe je i aftë për punë. Në fakt shkolla ta jep një shprehi pune por jo më shumë. Shumicës prej nesh as që na kujtuhen gjërat që i kemi mësu në shkollë. Duhet të jemi të hapur të mësojmë gjëra të reja si në punë dhe si jashtë saj. Vetëm në atë mënyrë përparojmë./insajderi.org/

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.