Dy shqiptarë janë sulmuar në pjesën veriore të Mitrovicës gjatë paradites të së enjtes, ka konfirmuar Policia Rajonale.
Sipas njoftimit të Policisë, njëri nga të lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në pjesën jugore të Mitrovicës, ndërsa një tjetër në atë veriore.
Për sulmin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku kanë bërë të ditur se njëri nga të sulmuarit ishte kameraman.
Sipas AGK-së, kameramani i “Insajderit”, Jetmir Muji, është sulmuar nga një grup i serbëve lokalë teksa po merrte xhirime për një emision.
“Sipas kësaj medie, Muji bashkë me gazetarin, Visar Duriqi, kanë qenë në veri për të përgatitur një emision, kur kanë parë futjen në veturë të një të riu nga disa persona. Kur Muji e ka xhiruar ngjarjen, ai është sulmuar nga këta persona, dhe ka përfunduar në Emergjencën e Spitalit në jug të Mitrovicës”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja ka kërkuar nga Policia që të zbardhet rasti sa më shpejt.