Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka lëshuar sërish një paralajmërim të zymtë për një krizë të madhe globale të sigurisë, duke pretenduar se “për një vit e gjysmë do të përballemi me një luftë të madhe”.
Duke folur në forumin BELTALKS, të dedikuar bashkëpunimit dhe konkurrencës evropiane, Vuçiç tha se politika ndërkombëtare është bërë “plotësisht iracionale” dhe se nuk mund të parashikojë më se si do të zhvillohen ngjarjet – përfshirë edhe situatën energjetike në Serbi, për të cilën, siç theksoi, ende nuk ka informacione të qarta nga Moska lidhur me furnizimet me gaz.
Ai kujtoi se, sipas tij, e kishte parashikuar edhe luftën në Ukrainë:
“Do të thonë se jam mbretëresha e dramës, por tre muaj para se të fillonte lufta në Ukrainë unë fola për këtë. Thjesht i analizova të dhënat, dhe edhe më shumë – emocionet njerëzore. Askush më nuk do ta dëgjojë palën tjetër, askush nuk interesohet se cila është e vërteta”, deklaroi Vuçiç.
Sa i përket kritikave nga rajoni dhe akuzave për lidhje të supozuar me të ashtuquajturin “safari të Sarajevës”, Vuçiç shtoi se nuk ka ndërmend t’u përgjigjet atyre sulmeve, as të komentojë reagimet e të tjerëve ndaj paralajmërimeve të tij për luftë.