MASHTRIM NË ISTRI
Ukrainas shtirej si mjek dhe mashtroi gra të moshuara – u mori mbi 57 mijë euro
Policia e Istrisë, në bashkëpunim me kolegët nga Pula, ka përfunduar hetimin penal ndaj një shtetasi 38-vjeçar nga Ukraina, i dyshuar për kryerjen e gjashtë mashtrimeve ndaj grave të moshuara në rajonin e Istrisë, raportojnë mediat kroate.
I dyshuari është arrestuar dhe ndaluar, ndërsa akuzohet se ka përdorur një skemë të pamëshirshme për t’u marrë para dhe stoli grave të moshuara, duke u paraqitur rrejshëm si mjek dhe duke kërkuar pagesa për “shpenzime urgjente mjekësore”.
Sipas policisë, mashtrimet janë kryer në periudhën nga 15 shtatori deri më 29 nëntor, ndërsa shënjestër kanë qenë ekskluzivisht gra të moshuara. Autori i dyshuar i telefononte viktimat dhe prezantohej si mjek, duke i bindur se djali ose vajza e tyre ndodhej në spital me lëndime të rënda dhe se nevojiteshin urgjentisht para për barna ose ndërhyrje kirurgjikale.
Të shqetësuara për fatin e fëmijëve të tyre, viktimat pranonin të paguanin. Pak më vonë, në adresat e tyre paraqitej një burrë 38-vjeçar, të cilit ia dorëzonin paratë dhe stolitë. Sipas hetimeve, i dyshuari një pjesë të parave ia dorëzonte një bashkëpunëtori.
Me këtë metodë janë mashtruar gjithsej gjashtë gra: dy prej tyre 86-vjeçare, si dhe nga një 87, 84, 75 dhe 70 vjeçe. Dëmi i përgjithshëm material vlerësohet në rreth 57.000 euro.
Hetimi penal është realizuar në bashkëpunim me njësitë policore nga rajonet Primorsko-Goran, Lika-Senj, Karlovac, Sisak-Moslavinë, Međimurje, Zadar dhe Viroviticë-Podravinë, ndërsa hetimet për bashkëpunëtorë të mundshëm po vazhdojnë.