DY SHTETAS TË KOSOVËS NË BORD – PILOTI RAPORTOI DEFEKT NË MOTOR
Detaje të reja nga rrëzimi i avionit në Liqenin e Mavrovës
Një avion i vogël sportiv është rrëzuar sot rreth mesditës në Liqenin e Mavrovës. Në bord ndodheshin dy persona, shtetas të Kosovës, të cilët kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Mjekësore në Gostivar.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njoftojnë se incidenti është raportuar në numrin emergjent 112, ndërsa menjëherë janë njoftuar SPB-Tetovë, Ndihma e Shpejtë dhe Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza në Tetovë, të cilat kanë ndërhyrë në vendngjarje.
Sipas informacioneve zyrtare, avioni i rrëzuar është i tipit “Piper” me regjistrim N5005W, i projektuar për transport të katër personave. Dy udhëtarët në avion janë shtetas të Kosovës. Mjeti fluturues është prodhuar në vitin 1961 dhe rezulton të jetë i regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dhënat nga faqet e specializuara të aviacionit tregojnë se avioni ka certifikatë të vlefshme deri në vitin 2028.
Autoritetet sqarojnë se avioni ka fluturuar edhe më herët në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut dhe ka marrë pjesë në ngjarje aviacioni, përfshirë një shfaqje ajrore në Shkup/Stenkovec në shtator të vitit 2023. Pronari i avionit, Dukagjin Manxhuka, sipas profileve publike, jeton në Londër dhe është pilot privat, ndërsa një ditë para incidentit kishte publikuar fotografi nga fluturimi mbi Tetovë.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë bëjnë të ditur se në momentin e rrëzimit në bord ka qenë Manxhuka, i cili ka deklaruar se ka pasur problem me motorin e avionit.
“Sot (12.12.2025) rreth orës 12:35 është raportuar se një avion i vogël sportiv ka rënë në Liqenin e Mavrovës, pranë digës ‘Kanali i Beliçit’. Dy shtetas kosovarë, XH.P. (41) dhe D.M. (64), kanë arritur të dalin nga avioni dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Mjekësore Gostivar. Sipas deklarimit të pilotit, shkak i incidentit ka qenë një defekt në motor, për çka është kryer aterrim emergjent në liqen”, njoftojnë nga SPB-Tetovë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të incidentit vazhdojnë, ndërsa autoritetet kompetente po grumbullojnë të gjitha të dhënat teknike dhe dëshmitë nga vendngjarja.