Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në autostradën A57, pranë Kamp-Lintfort, në drejtim të Këlnit, ku dy të rinj kanë humbur jetën në rrethana tragjike, duke shkaktuar kaos të madh në qarkullim.
Sipas autoriteteve gjermane, një automjet me një 26-vjeçar dhe një 21-vjeçare është përfshirë fillimisht në një aksident me një kamion. Pas përplasjes, vetura është ndalur në mes të autostradës, duke u shndërruar në rrezik serioz për automjetet e tjera që qarkullonin në atë segment.
Për arsye që ende nuk janë sqaruar, të dy personat kanë dalë nga automjeti i dëmtuar. Në ato momente, ata janë goditur nga një veturë tjetër që po vinte me shpejtësi, ndërsa drejtuesi i saj nuk ka arritur të frenojë në kohë. Si pasojë, goditja ka qenë fatale për të dy të rinjtë.
Ekipet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, por mjekët kanë konstatuar vdekjen e dy viktimave në vend. Ndërkohë, disa persona të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Si pasojë e aksidentit, autostrada A57 është mbyllur për disa orë, derisa policia ka kryer hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj tragjedie. Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve për kujdes të shtuar në trafik, veçanërisht në rast të aksidenteve në autostrada.
Burimi: podujeva.net