Paralizohet Aeroporti i Shkupit – njoftoen udhëtarët se…

News

MJEGULLA E DENDE BLLokon AEROPORTIN E SHKUPIT: Anulohen të gjitha fluturimet e mëngjesit, avionët devijohen në rajon

Për shkak të mjegullës shumë të dendur, mëngjesin e sotëm janë anuluar të gjitha fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, duke paralizuar përkohësisht trafikun ajror.

Janë anuluar fluturimet e kompanisë Wizz Air nga Shkupi drejt Dortmundit, Brukselit, Parisit, Lubjanës, Bazelit, Memmingenit dhe Venecias. Gjithashtu, është anuluar edhe fluturimi drejt Zagrebit i Croatia Airlines, si dhe fluturimi për Stamboll i Turkish Airlines.

Aktualisht, në aeroportin e Shkupit nuk ndodhet asnjë avion. Asnjë nga gjashtë avionët e “Wizz Air”, të stacionuar në bazën e Shkupit, nuk ka arritur të ulet mbrëmë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike. Si pasojë, avionët janë devijuar drejt aeroporteve në Prishtinë, Sofje, Tiranë, Selanik dhe Ohër.

Ekipazhet e “Wizz Air” sot në mëngjes janë nisur drejt aeroporteve ku avionët kanë aterruar mbrëmë, nga ku do të realizohen disa fluturime drejt destinacioneve të planifikuara, me qëllim transportimin e pasagjerëve që nuk kanë mundur të udhëtojnë nga Shkupi.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ditës së djeshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kanë arritur të ulen vetëm tre avionë, të cilët më pas kanë mundur të ngrihen kur kushtet atmosferike janë përmirësuar përkohësisht. Të gjitha fluturimet e tjera janë anuluar ose devijuar, ndërsa dukshmëria ka rënë nën 100 metra – shumë më poshtë se standardet minimale për ulje instrumentale të kategorisë 1, me të cilën operon aeroporti i Shkupit.

Nga aeroporti bëjnë të ditur se, pavarësisht kushteve të motit, aeroporti mbetet zyrtarisht i hapur dhe stafi është i gatshëm për të pritur dhe shërbyer fluturimet dhe pasagjerët.

“Të gjitha ndryshimet në orarin e fluturimeve përditësohen në kohë reale në faqen tonë zyrtare. Sporteli i informacionit dhe linja telefonike +389 2 3148 333 janë në dispozicion 24/7 për të gjithë pasagjerët”, njoftojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.

Sipas parashikimeve të Enti Hidrometeorologjik, edhe në ditët në vijim në Shkup pritet mot i ndryshueshëm me paraqitje të mjegullës, çka mund të vazhdojë të ndikojë në trafikun ajror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *