
Besnik Berisha reagon ndaj deklaratës së Faton Peci: LDK e pambrojtur nga mungesa e lidershipit
Avokati i njohur Besnik Berisha ka reaguar ashpër pas deklaratës së kryetarit të Mitrovicës së Jugut dhe bashkëkryetarit të partisë Guxo, Faton Peci, i cili paralajmëroi se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) rrezikon të përfundojë me rezultat njëshifror nëse pengon zgjedhjen e presidentit.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Berisha theksoi se situata aktuale e LDK-së ka krijuar hapësirë për sulme dhe kërcënime politike.
“Thuhet se kur shtëpia mbetet pa zot, secili merr guximin të hyjë brenda dhe të flasë si pronar”, shkroi Berisha.
Sipas tij, tallja dhe presioni që po i bëhet LDK-së nga Lëvizja Vetëvendosje nuk buron nga forca e saj politike, por nga dobësia e brendshme e lidershipit të LDK-së.
“Vetëvendosja sot po tallet me LDK-në jo pse është e fortë, por sepse e sheh të paralizuar nga një lidership që nuk udhëheq, nuk tërhiqet dhe nuk mban përgjegjësi”, theksoi ai.
Në fund të reagimit, Berisha kritikoi drejtpërdrejt udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke nënvizuar se mungesa e veprimit po e dëmton rëndë partinë.
“Kur nuk ke zë, por as nuk lëshon vendin, nuk je më lider – je pengesë. LDK nuk po sulmohet nga jashtë, por po lihet e pambrojtur nga brenda”, përfundoi Berisha.