Në shëndetësinë publike ka mjekë që kanë marrë paga edhe mbi 10,000 euro, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në një konferencë për media, ku u prezantua Ligji i ri për barnat. Ai theksoi se Ministria posedon të dhëna konkrete dhe se rastet do të trajtohen institucionalisht.
– Në shëndetësinë publike kemi mjekë që kanë marrë edhe më shumë se 10 mijë euro pagë, kemi mjekë me pagë prej 700 mijë denarësh, që është më shumë se 10 mijë euro. Ministria e Shëndetësisë i di institucionet, por le të zgjidhet kjo institucionalisht – tha Aliu.
Ministri Aliu theksoi se institucionet janë të njohura, por nuk dëshiron t’i bëjë publike për të mos dëmtuar procesin.
– Kjo sjell edhe procedura të tjera administrative dhe ligjore që unë si ministër nuk duhet t’i them sot në konferencë, sepse do të rrezikoja një proces që nuk duhet të rrezikohet. Ideja nuk është të bëjmë spektakël nga shëndetësia, por të ndalojmë atë që aktualisht ekziston në sistemin shëndetësor – tha Aliu.
Ai shtoi se ka dallime të mëdha edhe në ngarkesën e punës mes mjekëve.
– Kemi mjekë që kontrollojnë vetëm një pacient në javë, dhe kemi mjekë që kontrollojnë 100 pacientë në javë. Edhe njëri edhe tjetri janë devijime dhe nuk janë në rregull. Këtë do ta zgjidhim institucionalisht – shtoi ministri.