Nga Gjermania, gazetarja Lindita Arapi ka folur mbi situatën e Gjermanisë në ditët e sotme dhe atë që e pret këtë shtet.
Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” gazetarja Arapi është shprehur se duke qenë se Gjermania është shumë e varur nga gazi rus, po përballet me një situatë jo shumë të mirë përsa i përket aspektit ekonomik.
Arapi thotë se për Gjermaninë kanë mbaruar vitet e arta dhe e presin vite shumë të vështira.
Lindita Arapi: Gjermania ka një situatë më ndryshe, është shumë e varur nga gazi rus. Për Gjermaninë mbaruan vitet e arta, e presin vite shumë të vështira. Vitet që e presin me të gjithë këto probleme nga rritja e çmimeve që priten të vazhdojnë rritjen, inflacioni etj kanë për ta rënduar shumë shtetin gjerman.
Njerëzit e ndjejnë pasigurinë. Unë mund të them një lajm të sotëm zyrtar nga Zyra e Statistikave: Çdo i pesti gjerman në bazë të statistikave, ka një të ardhur neto më pak se 16 mijë e 300 euro në vit, i bie 1 mijë e 400 euro në muaj.
Shtresën e varfër gjermane dhe shtresën e mesme, çmimet po e rëndojnë, megjithatë shteti po reagon fuqishëm. 200 miliardë euro do të bëhen gati, si një “ombrellë” shpëtimi për industrinë gjermane. Frika më e madhe është se e ardhmja e industrisë gjermane po vihet në rrezik. “Gjermania do të humbasë mirëqenien”, tha Ministri i Financave i Gjermanisë./tvklan.al