Filloi punën interkontektori gazsjellës mes Greqisë dhe Bullgarisë, RMV dëshiron të bëhet pjesë e rrjetit

news
Advertisement

Gazsjellësi mes Bullgarisë dhe Greqisë e ndryshon lojën, tha në fjalimin e saj kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në hapjen solemne të interkonektorit gazsjellës mes Bullgarisë dhe Greqisë, që sot u mbajt në Sofje, njofton Portalb.mk.

Advertisement

Në ceremoninë zyrtare, përveç kryetares së KE-së, morën pjesë edhe komesari evropian për energjetikë, Kadri Simson, presidentët e Azerbejxhanit dhe Serbisë, Ilham Aliev dhe Aleksandar Vuiçiq, kryeministrat e Greqisë dhe Rumanisë, Kirjakos Micotakis dhe Nikollae Çuka, por edhe presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.

Të gjithë ata e theksuan rëndësinë e interkonektorit, i cili, edhe pse është me kapacitet të vogël prej 3 miliardë kub metër në vjet, fillon të punojë në një moment të rëndësishëm të krizës për shkak të dërgesave energjetike ruse dhe çmimeve të larta të gazit natyror.

Siç shkruajti mediumi bullgar “Mediapool.bg”, të gjithë mysafirët e kanë theksuar rëndësinë e interkonektorit për diversifikimin e furnizimit me gaz jo vetëm në Bullgari, por edhe në Ballkan dhe në Evropën Juglindore në kohën kur Rusia bëhet gjithnjë e më pa e sigurt në furnizimin e gazit natyror.

Gjatë kohës së ceremonisë janë theksuar përpjekjet e disa qeverive bullgare dhe greke për zbatimin e projektit prej vitit 2009, por edhe mbështetja e Bashkimit Evropian.

Von der Leyen tha se BE e ka mbështetur këtë projekt që prej ditës së parë – politikisht, por edhe financiarisht me 250 milionë euro. Gjithashtu, sot filloi era e re për Bullgarinë dhe Evropën Juglindore dhe ky është një lajm i shkëlqyeshëm në këto kohëra të rënda.

“Bullgaria e ka marrë 80% të gazit të saj prej Rusisë, kjo ishte para se Rusia të vendos të fillojë luftë kundër Ukrainës dhe luftës energjetike kundër Evropës. Ky është ndryshimi i lojës për Bullgarinë dhe për sigurinë energjetike të Evropës. Dhe kjo do të thotë liri nga varësia e gazit rus”, tha Leyen.

Presidenti Stevo Pendarovski theksoi nevojën që RMV-ja të bëhet pjesë e këtij gazsjellësi.

“Për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe për të përmbushur nevojat e bizneseve dhe amvisërive, Maqedonia e Veriut duhet të bëhet pjesë e këtij rrjeti të gazit natyror. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm në atë drejtim”, theksoi Pendarovski.

Kryetarja e KE-së shtoi se falë këtyre projekteve, Evropa do të ketë gaz mjaftueshëm për këtë dimër.

Ndryshe, projekti për interkonektorin e gazsjellësit mes Greqisë dhe Bullgarisë përbëhet prej tubacioneve në gjatësi prej rreth 182 kilometra, prej të cilave 31% janë në territorin grek. Fillon prej Komotini dhe mbaron në Stara Zagora. Gazsjellësi ka kapacitet fillestar prej 3 miliardë kub metër gaz natyror në vit, me mundësi që të rritet në 5 miliardë kub gaz natyror në vit me ndërtimin e stacioneve për komprimim.

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.