Gjykata dënon me 11 vjet burg Elizabeth Holmes, gruan që dikur frymëzoi (dhe zhgënjeu) botën

news
Advertisement

Themeluesja e Theranos, Elizabeth Holmes, është dënuar me mbi 11 vjet burg për mashtrimin e investitorëve në startup-in e saj të testimit të gjakut, i cili dikur vlerësohej në 9 miliardë dollarë.

Advertisement

Ish-ylli i Silicon Valley pretendoi se teknologjia e saj mund të diagnostikonte sëmundje vetëm me disa pika gjaku.


Holmes, 38 vjeçe, e cila është shtatzënë, me lot në sy tha në gjykatë se ndjeu “dhimbje të thellë” për ata që u mashtruan. Ajo u shpall fajtore në janar pas një gjyqi tre mujor. Holmes pritet të apelojë kundër dënimit, i cili u dha të premten në një gjykatë në Kaliforni.

E cilësuar më parë si “Steve Jobs-i i ardhshëm”, ajo dikur thuhej se ishte miliarderja më e re në botë self-made.

Elizabeth Holmes ishte 19 vjeçe kur braktisi universitetin e famshëm amerikan “Standford” dhe vendosi “të ndryshonte botën”. Në vitin 2004, ajo krijoi Theranos, një bashkim i fjalëve “Therapy” (Terapia) dhe “Diagnosis” (Diagnoza). Ky startup premtonte që vetëm nëpërmjet një pike gjaku nga një e shpuar pa dhimbje e majës së gishtit dhe nëpërmjet një makinerie, të zbulonte të gjitha sëmundjet e mundshme, të dallueshme nëpërmjet gjakut.


Të gjitha mediat shkruan për të, përfshirë Time, Forbes, New Yorker etj. Holmes kaloi nga një e panjohur në një emër të komentuar në Silicon Valley dhe arriti të grumbullonte miliarda dollarë pasuri duke mashtruar investitorët. Ajo u konsiderua mbretëresha e Silicon Valley-t të dominuar nga burra.

Por hetimet tregun se pas historisë së suksesit të Theranos-it, fshiheshin procedura laboratorike dhe rezultate të dyshimta. Prokurorët e përshkruan atë si një sharlatan të fiksuar pas famës dhe pasurisë.

“Jam e shkatërruar nga dështimet e mia. Kam ndjerë dhimbje për atë që kanë kaluar njerëzit,” i tha ajo gjykatës të premten. Gjykatësi i tha asaj: “Dështimi është normal. Por dështimi duke mashtruar njerëzit nuk është në rregull.”

Disa njerëz i kanë shkruar gjykatës që ta falë. Grupi vuri në dukje se Holmes është një nënë e re. Ajo lindi një djalë në korrik 2021 dhe aktualisht është shtatzënë me fëmijën e saj të dytë.

Eileen Lepera, një sekretare e Silicon Valley e cila humbi një pjesë të kursimeve të jetës duke investuar në Theranos, i tha BBC-së se ishte “e lumtur” me dënimin.

“Unë mendoj se është e drejtë, duke marrë parasysh të gjitha faktet e çështjes,” tha ajo. “Elizabeth Holmes e dinte se ishte mashtrim dhe vuri jetën e njerëzve në rrezik.”

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.