Media Kroate zbulon draftin e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës- “Nëse Vuçiq nuk e pranon, e pret izolimi”

news
Advertisement

Dokumenti për “kornizën e re” të marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, ka fituar vëmendje edhe jashtë kufijve të Kosovës. Të hënën, gazeta kroate “Jutarnji List” ka raportuar se si, sipas këtij dokumenti, Serbinë e pret izolimi nëse nuk e njeh Kosovën pas dhjetë vjetësh.

Advertisement

Portali në gjuhën shqipe “Albanian Post” ka publikuar të dielën përmbajtjen e gjoja “kornizës së re” për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun që po zhvillohet nën lehtësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, shkruan “Jutarnji List” të hënën.

Sipas atij portali, thelbi i kornizës së përmendur është se marrëveshja e re duhet të arrihet deri në mesin e vitit 2023. Nuk do të nënkuptonte njohje formale të Kosovës si shtet nga Serbia, por përkohësisht do të mjaftonte që Serbia ta “pranonte” ekzistencën e Kosovës si realitet më vete juridiko-politik.

Sipas këtij teksti, Serbia duhet ta njohë zyrtarisht Kosovën pas 10 vitesh, kur “të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në prag të anëtarësimit në BE”.

“Kosova dhe Serbia janë dy realitetet të ndara legale dhe politike që duhet të njihen si të tilla nga të gjitha palët në procesin e dialogut”, thuhet në dokumentin e pretenduar që “Albanian Post” thotë se e ka.

“Serbia nuk do të jetë e gatshme t’i bashkohet BE-së pa një normalizim komplet të raporteve politike, legale dhe diplomatike me Kosovën. Gjithsesi, duke pasur parasysh që pranimi i Serbisë në BE është akoma larg, në këtë fazë, Serbisë nuk do t’i kërkohet që ligjërisht ta njohë Kosovën”, thuhet në tekst, raporton Jutarnji List.

Aty thuhet se gjoja “Korniza për Marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” përmend një dallim semantik, pra përdorimin e termit “pranim i Kosovës” në vend të “njohjes”.

Me rastin e arritjes së kësaj marrëveshjeje, shkruan gazeta, duke iu referuar burimeve të saj diplomatike, Kosova gradualisht do të anëtarësohej në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, INTERPOL-i dhe UNESCO. Do të fillonin negociatat për anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në BE. Anëtarësimi në OKB do të shtyhet deri në një njoftim të dytë për shkak të marrëdhënieve aktuale të Perëndimit me Rusinë dhe Rusia ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Duke e pranuar Kosovën si një realitet i ndarë politik dhe legal, Serbia do të marrë një pozicion pasiv dhe nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, citon ky portal dokumentin e pretenduar dhe thekson se kjo është “një kërkesë specifike dhe e fortë drejtuar Serbisë”.

Në rast të një marrëveshjeje, Serbia do të merrte një ndihmë të madhe financiare dhe do të vazhdonte rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Në rast të refuzimit të marrëveshjes, qeveria e Kosovës e Albin Kurtit do të ishte “nën izolim”, gjë që do të “vinte në pikëpyetje mbijetesën e saj në pushtet”. Dhe Serbia do të ishte “e izoluar financiarisht dhe ekonomikisht”.

Pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, pavarësisht nga rezultati, do ta njihnin Kosovën në këtë rast për të treguar përfundimisht unitetin e BE-së edhe për këtë çështje.

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.