“O a u vdekë bre, o ma mirë me vdekë edhe uneee..” – kështu pyeste e lutej një i ri, i cili dyshohet se në orën e parë të së premtes shkaktoi një aksident në rrugën “Fahri Fazliu” në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet, ku pësoi me jetë një 19-vjeçar.
J.S. nuk u mbijetoi plagëve të mara nga makina, e cila e goditi atë teksa viktima ishte duke ecur trotuarit me një tjetër qytetar. Aksidenti, sipas dëshmitarëve, ndodhi për shkak të shpejtësisë së madhe të një veture, e cila goditi dy makina të parkuara në trotuar, të cilat goditën për vdekje këmbësorin, njofton Klan Kosova.
I dyshuari për shkaktimin e aksidentit, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Por, fillimisht ai është trajtuar në emergjencën e QKUK-së, ku ka marrë trajtim për shkak të shokut traumatik që e ka pësuar nga ngjarja
Mjekja, e cila e ka trajtuar, Krenare Makolli tha se i dyshuari është pranuar në gjendje të rëndë psikike dhe është këshilluar policia që në rast se nuk i përmirësohet gjendja, të dërgohet në psikiatri.
Banorët e lagjes “Kodra e Trimave”, të tronditur nga ngjarja, kritikuan komunën se nuk e ka bërë shenjëzimin horizontal e vertikal të rrugëve, e cila do të parandalonte aksidentet. Sipas tyre, shpejtësia e lejuar në këtë zonë është 40 km/h, ndërsa vozitësit ngasin makinat mbi 100 km/h, për çka, sipas tyre, aksidentet këtu janë të shpeshta.