“Qyteti i fantazmave” në Malajzi është një mrekulli arkitekturore: Kushtoi 100 miliardë dollarë, por sot është bosh (foto/video)
I menduar si qyteti i së ardhmes, mega-kompleksi Forest City, me vlerë 100 miliardë dollarë, u hap zyrtarisht në vitin 2016.
Ai u premtonte banorëve të ardhshëm një jetë luksoze dhe një ambient ekologjik, por gjërat morën një drejtim krejtësisht tjetër, raporton LadBible.
Pse dështoi projekti?
Forest City ndodhet në shtetin malajzian Johor dhe ishte planifikuar të strehonte 700.000 banorë. Sot njihet si “qyteti i fantazmave”, sepse rreth 9.000 njerëz jetojnë në një sipërfaqe gjigante të mbushur me ndërtesa të larta (të dhëna nga viti 2023).
YouTuberi i njohur Ben Morris vendosi ta vizitojë kompleksin papritur për të zbuluar më shumë rreth arsyeve pse ai nuk është gjallëruar në kapacitet të plotë.
Investitori më i madh, Country Garden Holdings, organizoi hapjen madhështore më 6 mars 2016. Në atë kohë, një shumë e jashtëzakonshme parash ishte investuar në ndërtim, me synimin për të tërhequr blerës nga klasa e mesme.
Një mundësi për “shtëpi të dytë”
Megjithatë, gjërat nuk shkuan sipas planit. Investitori kinez u përball me probleme financiare, projekti mbeti i papërfunduar, dhe shumë pak blerës u paraqitën.
“Përflitet se ekzistojnë disa arsye që çuan në dështimin e projektit, siç është mungesa e fondeve. Ideja ishte t’u ofrohej kinezëve mundësia të zotëronin një shtëpi të dytë jashtë vendit. Sot shohim se shumë apartamente janë bosh,” tha YouTuberi.
Ai u befasua nga niveli i luksit të pronave dhe u tregoi shikuesve se si duken ato.
“Apartamentet kanë fusha tenisi, pishina, palestra dhe shumë pajisje të tjera,” shpjegoi ai.
“Ika prej andej…”
Disa kohë më parë, mediat e huaja publikuan historinë e Nazmi Hanafit, një ekspert IT, i cili ishte zhvendosur në Forest City.
“Ika prej andej pas gjashtë muajsh. Kisha marrë me qira një apartament me një dhomë gjumi, por s’më interesonte më as për depozitën, thjesht doja të largohesha. Aty je i vetmuar, vetëm me mendimet e tua,” tha ai.
Hanafi tha se kishte “pritshmëri të mëdha” nga mega-kompleksi, por pati një “përvojë të keqe”.
Njerëzit që e kanë parë Forest City me sytë e tyre thonë se duket si një “resort i braktisur”, me një plazh të lënë pas dore, pa tabela për not, dhe me shumë dyqane e restorante të mbyllura…