Gjykata e Landit në Bielefeld ka dhënë sot një verdikt shokues për
familjarët e boksierit të ndjerë, Besar Nimani, duke i dënuar ata me masa
drastike pas ngjarjeve të dhunshme që pasuan vrasjen e sportistit.
Sipas vendimit të dhënë pak orë më parë, vëllai i boksierit, Berat Nimani,
është dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjykata e ka gjetur atë fajtor për tentativë vrasjeje dhe lëndim të rëndë
trupor. Ngjarja bën fjalë për atentatin e ndodhur para gjykatës gjatë
procesit gjyqësor, ku në shenjë hakmarrjeje u qëlluan me armë zjarri
familjarët (babai dhe vëllai) e personit të akuzuar për vrasjen e Besarit.
Dora e ligjit nuk ka kursyer as motrën e boksierit të ndjerë. Ajo është
dënuar me 5 vite burgim për përfshirjen e saj në këtë ngjarje që tronditi
opinionin publik në Gjermani dhe komunitetin shqiptar
Atmosfera në sallën e gjyqit ishte e rëndë, me të pranishme nënën dhe
motrat e të pandehurve, të cilat reaguan me zë të lartë ndaj vendimit.
Nëna shpërtheu në lot dhe u largua nga salla
Kujtojmë se Besar Nimani u ekzekutua në mars të vitit 2024 në Bielefeld.
Dhimbja për humbjen e tij duket se e çoi familjen drejt vetëgjyqësisë, një
veprim që sot u kushtoi lirinë dy anëtarëve të tjerë të familjes Nimani.
Ky vendim konsiderohet ndër më të ashpërit, duke mbyllur kështu një
kapitull të dhimbshëm për familjen e njohur. /Prive