Një foshnjë e parakohshme, e cila kishte shanse për të jetuar, ka ndërruar jetë në repartin e kujdesit intensiv në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup më 1 tetor të këtij viti, ndërsa vdekja familjes iu paraqit si diçka që nuk ka mundur të parandalohej. Megjithatë, dokumentet që ka siguruar “Sloboden Peçat” tregojnë se brenda vetë spitalit, shefja e repartit të kujdesit intensiv, dr. subspecialiste Elizabeta Petkovska, e ka denoncuar pediatren e repartit, dr. Emilija Badeva, duke theksuar se “trajtimi i saj i papërshtatshëm ka shkaktuar komplikime nga të cilat ka vdekur foshnja”.
Drejtoresha e spitalit, dr. Irena Aleksiovska Papestiev, pasi e ka pranuar këtë denoncim, e ka larguar pediatren nga turnet në repartin e kujdesit intensiv dhe e ka transferuar në një repart ku nuk kryhen reintubime (me kërkesë të vetë pediatres). Megjithatë, për dy muaj me radhë, drejtoresha nuk ka njoftuar as Ministrinë e Shëndetësisë, as Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar, e as Prokurorinë Publike për këtë rast, në të cilin shefja e një reparti të kujdesit intensiv denoncon një mjeke për trajtim të papërshtatshëm të një foshnjeje me pasoja vdekjeprurëse.
Para se ta publikonte këtë storie, “Sloboden Peçat” kishte rolin jashtëzakonisht të vështirë që familjes së foshnjës së ndjerë t’ua tregonte dokumentet interne të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, të siguruara nga sinjalizues (whistleblowers), ku përmendet dyshimi për trajtim të papërshtatshëm dhe shkaktim të komplikimeve – diçka që familjes nuk i ishte thënë aspak gjatë lirimit të nënës nga spitali.
“Pas vdekjes së djalit tim, një specializante na tha që të mos e lëmë këtë rast ashtu, se diçka në GAK nuk kishte qenë në rregull me trajtimin”, kujton babai i foshnjës në bisedë me redaksinë tonë.
Nga pikëpamja etike, për redaksinë tonë ishte e pamundur të punonte në publikimin e kësaj storie duke ditur se familja nuk ishte e informuar për korrespondencën interne, e cila vetë dëshmon për dyshime mbi lëshime në trajtim që çuan në vdekjen e foshnjës, por gjithashtu dëshmon se Klinika nuk ka qenë transparente ndaj familjes dhe madje ka tentuar ta mbulojë rastin, duke e mbajtur pas dyerve të mbyllura.
Edhe pse disa protokolle botërore parashikojnë që një foshnjë e lindur para kohe duhet të reintubohet brenda 30 sekondave, foshnja konkrete, e cila ka jetuar vetëm 3 ditë, sipas denoncimit të shefes së repartit, është intubuar vetëm pas 20 minutash, gjatë të cilave i është dëmtuar rëndë fyti.
“Nga momenti i dorëzimit të turnit të parë më 1.10.2025 dhe marrjes së shërbimit nga dr. Badeva rreth orës 15:00, ajo ka marrë vendim për reintubim të foshnjës, procedurë e cila ka zgjatur pa sukses me përpjekje të shumta për intubim deri në 20 minuta, gjatë të cilave është dëmtuar laringu dhe është shkaktuar emfizemë subkutane në regjionin e qafës dhe pneumotoraks masiv në anën e djathtë, çka ka çuar në destabilizimin e foshnjës, e cila, edhe pas vendosjes së drenazhit torakal nga kirurgët pediatrikë dhe terapisë shtesë medikamentoze, ka përfunduar me vdekje”, thuhet në denoncimin drejtuar drejtoreshës së GAK-ut nga prim. dr. subspecialiste Elizabeta Petkovska, shefe e repartit të kujdesit intensiv.
Në vërtetimin e lëshuar për prindërit e foshnjës së ndjerë, si dhe në kërkesën për obduksion, janë shënuar të dhëna të pasakta për gjendjen e përgjithshme të foshnjës; është theksuar se pneumotoraksi ka ndodhur spontanisht dhe askund nuk është evidentuar se janë kryer përpjekje të shumta për reintubim gjatë 20 minutave, të cilat kanë çuar në destabilizim dhe komplikime shtesë si shkak i drejtpërdrejtë i vdekjes.
Denoncimi është i datuar dhe i arkivuar në Klinikën e Gjinekologjisë më 13.10.2025. Dy specializante, të cilat kanë qenë të pranishme gjatë këtij reintubimi të pasuksesshëm, kanë dhënë deklaratat e tyre në spital.
“Kam qenë dëshmitare e përpjekjeve të shumta të pasuksesshme për reintubim që zgjatën rreth 20 minuta, gjatë të cilave u shfaqën komplikime, emfizemë subkutane dhe pneumotoraks masiv. Më pas foshnja iu dorëzua koleges më të re, specializantes dr. Mevljane Islami. Gjatë gjithë kohës, infermieret dhe ne i sugjeronim dr. Badeva të mos e intubonte fëmijën, por ajo nuk na dëgjoi”, ka shkruar në deklaratën e saj specializantja dr. Koçova Despina.
Deklaratë ka dhënë edhe specializantja tjetër:
“Procedura e reintubimit zgjati 20 minuta, e shoqëruar me përpjekje të shumta të pasuksesshme. Më pas doktorja ma dorëzoi foshnjën që ta intuboja unë, por gjatë procedurës vura re gjakderdhje në laring, emfizemë rozë nënlëkurore dhe pneumotoraks masiv”, ka shkruar dr. Mevljane Islami Limani.
Dokumentacioni tregon se bëhet fjalë për një foshnjë me peshë solide – 2.630 gramë, e lindur në javën e 36-të gestacionale me prerje cezariane. Foshnja ishte transferuar në kujdes intensiv për shkak të distresit respirator, ndërsa ishin përjashtuar sëmundjet e zemrës dhe çrregullimet patologjike të ritmit kardiak.
Klinika e ka shqyrtuar rastin në Komisionin e Brendshëm për Cilësi, ku janë mbajtur dy mbledhje lidhur me këtë rast.
Në mbledhjen e 28.10.2025, Komisioni për Cilësi ka konstatuar se, përveç denoncimit nga dr. Petkovska, disa punonjës kanë deklaruar se dr. Badeva shpesh ndihej me erë alkooli, ndaj është rekomanduar transferimi i saj në repartin e të porsalindurve dhe që të kryejë turne vetëm në observim.
Megjithatë, nuk ekziston asnjë ligj që i lejon drejtorit testimin e mjekëve për alkool apo substanca, prandaj këto rekomandime mbeten vetëm formale.
Dr. Badeva i mohon akuzat për alkool, i konsideron shpifje dhe mobing në vendin e punës, duke theksuar se nuk konsumon alkool as në shtëpi e as në punë. Sipas saj, foshnja ka qenë në gjendje shumë të rëndë dhe ajo nuk ka bërë asnjë gabim në reanimacion.
Raporti i obduksionit të foshnjës ende nuk është përfunduar as dy muaj pas vdekjes.
Nga Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës deklaruan për “Sloboden Peçat” se i mohojnë kategorikisht akuzat, duke theksuar se Komisioni për Cilësi nuk ka konstatuar parregullsi në trajtim dhe se vdekshmëria e të porsalindurve këtë vit është në rënie.