Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherësh kandidat i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar rritje të ndjeshme të pagave në sektorin publik, nëse LDK-ja vjen në krye të Qeverisë.
Gjatë një paraqitjeje publike, Abdixhiku deklaroi se mësuesit do të përfitojnë rritje të konsiderueshme të pagave, duke theksuar se paga e tyre do të arrijë në 1.000 euro në muaj. Sipas tij, kjo do të përfaqësonte një nivel të ri vlerësimi për arsimin.
Ai përmendi gjithashtu edhe sektorin e sigurisë, duke u drejtuar policëve, zjarrfikësve dhe ushtarëve, për të cilët premtoi se, me LDK-në në qeveri, pagat do të jenë 900 euro në muaj.
Abdixhiku theksoi se këto masa synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e standardit jetësor për kategoritë kyçe të shërbimit publik, duke shtuar se arsimi dhe siguria mbeten prioritete të programit qeverisës të LDK-së.