Një tragjedi e rëndë familjare ka tronditur rajonin e Vishgradit në Republikën Srpska, ku një burrë 49-vjeçar dyshohet se ka vrarë vajzën e tij dyvjeçare dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur në fshatin Kabernik, në afërsi të Vishgradit. Rasti është raportuar pasi burri kishte dërguar një mesazh lamtumire tek anëtarët e familjes, të cilët menjëherë kanë njoftuar policinë.
Pas denoncimit, ekipet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur trupat e pajetë të babait dhe fëmijës. Sipas burimeve jozyrtare, hetimet fillestare tregojnë se ai fillimisht ka vrarë fëmijën dhe më pas i ka dhënë fund jetës së tij.
Disa burime bëjnë të ditur se trupat janë gjetur të varur, por institucionet zyrtare ende janë duke hetuar për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe rrjedhën e saktë të ngjarjes.
Hetimet janë në vijim, ndërsa rasti ka shkaktuar tronditje dhe mosbesim të madh në opinionin publik.