Rregullat e reja për qëndrimin dhe punësimin e të huajve në Kroaci, të cilat hyjnë në fuqi këtë javë, po prekin drejtpërdrejt mijëra punëtorë nga Maqedonia e Veriut, të cilët prej vitesh përbëjnë një nga grupet më të mëdha të fuqisë punëtore të huaj në këtë vend. Dokumenti i ri ligjor synon të vendosë standarde më të rrepta për jetesën dhe trajtimin e punëtorëve, duke adresuar kritikat e vazhdueshme për kushtet shpesh të papranueshme në të cilat ata kanë jetuar dhe punuar.
Sipas rregulloreve të reja, punëdhënësit obligohen të sigurojnë kushte minimale të jetesës që përfshijnë të paktën 14 metra katrorë hapësirë për një punëtor, ndërsa për çdo person shtesë kërkohen edhe gjashtë metra katrorë të tjerë. Po ashtu, vendoset kufizim i qartë për numrin e banorëve në ambiente të caktuara, duke mos lejuar më shumë se dhjetë persona në një hapësirë prej 150 metrash katrorë, ndërsa në apartamente më të vogla, si ato prej 56 metrash katrorë, maksimumi i lejuar është tetë persona. Përveç hapësirës, kërkohen edhe kushte bazike funksionale, si instalime elektrike dhe hidraulike të rregullta, ambiente sanitare të përshtatshme dhe ndarje të qarta mes hapësirave për fjetje dhe përgatitje ushqimi.
Këto masa vijnë si përgjigje ndaj rasteve të shumta të raportuara për mbipopullim dhe kushte të dobëta jetese, sidomos për punëtorët sezonal dhe ata në sektorë si ndërtimtaria dhe turizmi. Autoritetet kroate synojnë të vendosin një standard minimal dinjiteti, duke e zhvendosur përgjegjësinë kryesore te punëdhënësit që përfitojnë nga kjo fuqi punëtore.
Megjithatë, përtej përmirësimit të kushteve të jetesës, rregullat e reja pritet të kenë edhe pasoja ekonomike për vetë punëtorët. Bizneset që do të duhet të investojnë më shumë në akomodim dhe standarde të tjera, mund të përpiqen të kompensojnë këto kosto përmes uljes së pagave ose përmes ofertave më pak të favorshme për punëtorët e rinj. Në këtë mënyrë, një pjesë e barrës financiare rrezikon të transferohet indirekt te vetë punëtorët, përfshirë edhe ata nga vendi ynë.
Puhiza Osmani, e cila për të dytin vit me radhë po punon në Kroaci, për gazetën Koha thotë se punëtorët ende nuk kanë marrë ndonjë informacion zyrtar lidhur me rregullat e reja, por se shqetësimi tashmë është i pranishëm mes tyre. “Deri më tani nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar për këto ndryshime dhe askush nuk na ka njoftuar konkretisht se çfarë do të ndodhë në praktikë. Megjithatë, nëse këto rregulla fillojnë të zbatohen, besoj se shumica e punëtorëve nuk do të jenë dakord, pasi ne vijmë këtu pikërisht për të fituar më shumë. Ky është viti i dytë që vij të punoj në Kroaci dhe, ndryshe nga hera e parë kur nuk kam qenë aq e kënaqur, këtë vit kemi ardhur me pritje për paga më të larta. Prandaj, këto ndryshime nuk janë pritur mirë nga ne, sepse ekziston frika se mund të ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhurat tona”, tha ajo.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me kufizimin e shumës që punëtorët mund të paguajnë për akomodim. Sipas rregullores, kjo shumë nuk duhet të kalojë 30 për qind të pagës së tyre, një masë që synon të parandalojë abuzimet e deritanishme, ku në disa raste punëtorëve u merrej një pjesë disproporcionale e të ardhurave për kushte minimale jetese.
Po ashtu, rregullat e reja parashohin edhe kontrolle të detyrueshme shëndetësore dhe kërkesën për dëshmi të vaksinimit sipas programit shtetëror kroat. Në rast se një punëtor nuk i ka marrë të gjitha vaksinat e nevojshme, atij do t’i mundësohet vaksinimi në Kroaci, duke e bërë këtë një kusht shtesë për qëndrimin dhe punësimin e ligjshëm.
Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve kroate, mbi 105 mijë shtetas të huaj aktualisht posedojnë leje të vlefshme pune dhe qëndrimi në vend. Në vitin 2026, numrin më të madh të lejeve e kanë marrë qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës, të ndjekur nga punëtorët nga Filipinet, Nepali, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, çka dëshmon për varësinë në rritje të tregut kroat të punës nga fuqia punëtore e huaj.