Muge Tuzcu Karakoç është e sigurt: pa kursin e integrimit, ajo ndoshta nuk do të ishte integruar dhe përshtatur vërtet në Gjermanideri më sot. Gazetarja nga Turqia jeton në Gjermani prej shtatë vjetësh, por vetëm kur mësoi gjermanisht çdo ditë në vitin 2024, së bashku me ukrainas, sirianë dhe iranianë, kuptoi se vendi ku jeton po i hapte dyert.
“Ne nuk e mësuam vetëm gjuhën atje. Falë atij kursi, u bëra përsëri pjesë e jetës së përditshme dhe kuptova se kisha shansin tim këtu në Gjermani.”
Ministria e Brendshme federale nuk dëshiron më t’u ofrojë këtë mundësi të gjithë refugjatëve dhe migrantëve. Aplikimet për kursin për refugjatët nga Ukraina, për azilkërkuesit, personat me leje qëndrimi të përkohshëm (të ashtuquajturët “Duldung”) dhe migrantët nga BE nuk do të miratohen më për momentin. Në të ardhmen, ata duhet të paguajnë vetë 1,600 euro për kursin e integrimit. Vetëm nëse qendra e punësimit, Zyra e Imigracionit ose shërbimet sociale i detyrojnë ata të ndjekin kursin, Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) do të mbulojë kostot.
Është një vendim që 42-vjeçarja nga Turqia nuk mund ta kuptojë. Tuzcu Karakoç i thotë DW: “Kam ndjesinë tani se Gjermania po bën një hap prapa. Nëse migrantët nuk mund të marrin pjesë në jetën e përditshme, problemet bëhen më të mëdha. Migrantët nuk do të zhduken edhe nëse qasja në kurset e integrimit pezullohet.”/botasot.info