Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Austri dhe Maqedoninë e Veriut. Një 23-vjeçar nga fshati Saraçinë i Tetovës humbi jetën në Austri, pasi ishte zhdukur pa gjurmë që nga dita e hënë.
I riu, me origjinë shqiptare, jetonte në Faak am See ku ishte pronar i një kafeneje. Sipas raportimeve të mediave austriake, ai ishte parë për herë të fundit në Drobollach të hënën rreth orës 17:00, ndërsa familja e kishte raportuar të zhdukur po atë ditë.
Pas një operacioni të madh kërkimi, trupi i tij u gjet mbrëmjen e së enjtes në liqenin Faaker See. Autoritetet austriake kanë nisur hetime për rastin, ndërsa për shkak se shkaku i vdekjes ende nuk është i qartë, është urdhëruar autopsi.
Alarmi u dha rreth orës 18:00 pasi në bregun e liqenit u gjetën sende personale që dyshohej se i përkisnin të riut të zhdukur. Menjëherë më pas, policia, zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit në ujë nisën një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhua edhe një helikopter policor.
Në aksion morën pjesë 12 zhytës të ekipeve të shpëtimit në ujë dhe dy zhytës profesionistë nga shërbimi zjarrfikës i Klagenfurtit. Gjithashtu u përdorën disa varka shpëtimi, ndërsa zona përreth liqenit u bllokua dhe vizitorët u larguan nga plazhi për arsye sigurie.
Pas rreth 40 minutash kërkime nën ujë, zhytësit arritën të gjejnë trupin e pajetë të 23-vjeçarit në fund të liqenit. Operacioni përfundoi rreth orës 20:00.
Rasti ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe komuniteti shqiptar në Austri, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.