Bërnabiq mandatohet për kryeministre të Qeverisë së re serbe

news
Advertisement

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 27 gusht se propozon Ana Bërnabiqin në postin e kryeministres së Qeverisë së re të Serbisë.

Advertisement

Në një konferencë për media në Beograd, Vuçiq tha se vendimi për mandatarin e ri të Qeverisë ishte një vendim i ndërlikuar.

Ai tha se Bërnabiq nuk do të jetë në krye të ekzekutivit për një mandat të plotë dhe paralajmëroi se më 2024 do të ketë ndryshime në Qeverinë serbe.

Megjithatë, presidenti serb nuk specifikoi se çfarë ndryshimesh do të ketë në Qeverinë serbe.
“Ana tani ka detyra të rëndësishme”, tha Vuçiq.

Bërnabiq ka qenë në krye të Qeverisë serbe në mandatin e kaluar dhe ishte mandatar nga partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe

Qeveria serbe zgjidhet në Kuvend pas propozimit të kandidatit për kryeministër. Kuvendi më pas voton për zgjedhjen e kabinetit qeverisës.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) së bashku me partneren e saj tradicionale, Partinë Socialiste të Serbisë, kanë shumicën në Kuvend.

Vuçiq tha se ai pret që Qeveria të formohet në 20 ditët e ardhshme.

Ai njoftoi se kryetari i Novi Sadit, Millosh Vuçeviq, nga SNS-ja do të jetë zëvendëskryeministër, ndërkaq Ivica Daçiq nga Partia Socialiste do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në Qeveri dhe do të jetë koordinator i shërbimeve të sigurisë.

Serbia ndalon Javën e Krenarisë

Gjatë konferencës për media, Vuçiq po ashtu njoftoi se Java e Krenarisë, që përfshin edhe Paradën e Krenarisë, e paraparë të mbahej në Beograd në shtator është anuluar ose shtyrë.

Ai tha se të drejtat e minoritetit janë nën kërcënim, por shtoi se shteti është nën presion nga të gjitha anët.

“Nuk është në pyetje nëse [presioni] është i madh, por vetëm se në një pikë nuk mund të arrish gjithçka, dhe kështu është në këtë rast”, tha Vuçiq.

Por, Marko Mihailoviq nga Shoqata “Krenaria e Beogradit”, tha se shteti nuk mund të anulojë Paradën e Krenarisë.

“Ai vetëm mund ta ndalojë, që do të ishte një shkelje e qartë e Kushtetutës dhe e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka argumentuar se ndalimi i Paradës më 2011, 2012 dhe 2013 ishte jokushtetuese”, shkroi në Twitter Mihailoviq./tv21.tv/

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.