Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar probleme në rajon, dhe borë ka rënë në Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci, ku ka pasur edhe bllokime në komunikacion.
Siç transmeton Euronews BiH, në Sarajevë bora këtë mëngjes ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, bllokime dhe rritje të rrezikut për aksidente, njoftoi shërbimi dimëror i KJKP “RAD”. Në terren kanë qenë të angazhuara 36 automjete dhe 90 punëtorë. Në komunën Novi Grad, trotuaret dhe rrugët lokale janë pastruar me dorë. Nga “RAD” kanë theksuar se gropat e pa shënuara dhe pengesat në rrugë e vështirësojnë pastrimin dhe shkaktojnë defekte në automjete.
Instituti Federal Hidrometeorologjik ka parashikuar mot me vranësira me borë dhe shi në pjesën më të madhe të Bosnjës, ndërsa shi në Hercegovinë. Temperaturat lëvizin nga –2 deri +4 gradë, dhe në jug deri në 12 gradë. Meteorologët paralajmërojnë se reshjet do të vazhdojnë edhe ditët në vijim, me periudha kthjellimi dhe ciklone të reja. Qytetarët u bëhet thirrje të jenë të kujdesshëm ndërsa rrugët po pastrohen.
Në Banja Luka, shërbimet dimërore po ashtu janë në terren dhe veprojnë sipas prioriteteve. Makinat janë angazhuar kryesisht në pjesët më të larta të qytetit. Për sot është paralajmëruar mot i ftohtë me borë dhe rritje të shtresës së borës – deri në mbrëmje priten rreth 10 centimetra borë, ndërsa në zonat më të larta deri në 20 centimetra.
Sot borë bie në të gjithë Kroacinë, dhe pranë Splitit dhe Klisit qarkullimi është i vështirësuar dhe disa automjete janë bllokuar, njofton faqja meteorologjike Crometeo. Borë ka rënë edhe në Likë, Gorski Kotar, Kroacinë qendrore dhe veri-perëndimore, Sllavoni dhe Dalmacion e Zagorën, përcjell “Index”.
Klubi Autombilist i Kroacisë (HAK) ka paralajmëruar se shumica e rrugëve janë të lagura ose të mbuluara me borë dhe janë të rrëshqitshme. Instituti Shtetëror Meteorologjik (DHMZ) njoftoi se shtresa më e madhe e borës këtë mëngjes është matur në Zavižan — 32 centimetra.