Në Klinikën Infektive në Shkup ka ndërruar jetë një grua 75-vjeçare me disa sëmundje kronike.
“Bëhet fjalë për një paciente të moshës 75 vjeç, te e cila laboratorikisht është konfirmuar gripi A, dhe pacientja ka pasur shumë komorbiditete”, deklaroi dr. Fadil Cana, drejtor i Klinikës së Sëmundjeve Infektive.
Edhe dy pacientë të tjerë janë në gjendje kritike dhe të vendosur në respirator, ndërsa disa të tjerë po marrin mbështetje me oksigjen.
Aktualisht janë të hospitalizuar 25 pacientë, shumica prej tyre të moshuar.
“Ata janë hospitalizuar sepse gjatë kontrollit është konstatuar se kanë komplikime nga virusi i gripit, kryesisht me prekje respiratore”, deklaroi dr. Cana.
Gjatë javës së parë të këtij viti, Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 1.725 raste me grip.