Mjekët apelojnë për më shumë kujdes, sepse variantet e reja të Covid 19 përhapen shpejtë në mesin e popullatës. Rritja e numrit të të infektuarve me Kovid 19, është pasojë e tubimeve familjare dhe mos kujdesit nga ana e qytetarëve. Edhe pse mjekët thonë se ka rritje enorme megjithatë simptomat janë më të lehta. Mjekët në Tetovë, thonë se raportet e fundit tregojnë se na pret një periudhë e rëndë dhe nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe masa nga ana e autoriteteve shtetërore sikurse kishim viteve të kaluara. “Dukshëm është rritur numri i rasteve të reja pozitive të infeksioneve me virusin Kovid 19. Raportet e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se ka rritje të numrit të rasteve të reja me Kovid-19. Kjo shifër nuk është e mirë, por duhet të ceket se tani rastet e reja kanë simptoma më të lehta se sa rastet gjatë viteve të kaluara. Duhet më shumë kujdes, dhe ata pacient që kanë probleme apo shenjë të gripit, menjëherë të paraqiten tek mjekët amë dhe mos bëhen zinxhir i përhapjes së këtij virusi tek të tjerët”, deklaroi për gazetën Koha mjeku, Besnik Mustafai.
Ndërkaq, mjekët rekomandojnë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm gjatë ahengjeve familjare. “Faktorë kryesorë janë turmat e njerëzve, sidomos ahengjet familjare të cilët direkt ndikojnë në rritjen e rasteve të reja, këtë dukuri nuk e kemi vetëm tani, por edhe gjatë sezonit të dimrit kur kemi fluks më të madh të qytetarëve në vende publike dhe kemi organizime të ndryshme familjare”, thotë Mustafai. Në ndërkohë, është tepër i vogël numri i atyre që marrin vaksinë në Tetovë.
“Në punktin regjional të vaksinimit në Tetovë kemi filluar gati se dy javë me vaksinimin me dozën e katërt të vaksinës kundër Kovid 19. Për momentin në dispozicion kemi llojin e vaksinës Fajzer dhe tash është risi se kemi edhe vaksinën Moderna, të cilën nuk e kemi pasur më parë. Interesimi është më i madh tek grupmoshat mbi 65 vjeç, ata janë më të interesuar dhe më të rregullt dhe mund të them se kjo moshë ka qenë e rregullt edhe me dozën e parë, të dytë, të tretë dhe tani edhe dozën e katërt, pra në secilën dozë ata kanë qenë të parët që janë vaksinuar”, njofton mjeku Besnik Mustafai. Më të rregullt janë ata që marrin dozën e katërt, kryesisht mosha mbi 65 vjeçare. tek moshat tjera, interesimi është tepër i vogël. “Me grupmoshat e reja, interesimi është shumë i vogël, të mos themi aspak. Kryesisht vaksinohen ata pacient të cilët e kanë patjetër të vaksinohen, ua kërkojnë nëpër shtete tjera apo institucione, përndryshe interesimi është shumë i vogël”, thotë ai.
Mjekët apelojnë për më shumë kujdes, ngase variantet e reja të Kovid 19 përhapen shpejtë në mesin e popullatës. Sipas statistikave të fundit, në Tetovë janë shënuar 44 raste të reja, ndërsa aktive janë 178 raste me Kovid-19. Që nga fillimi i pandemisë, në Tetovë janë infektuar me virusin korona 14.053 persona. (koha.mk)