Një gjykatë turke ka dënuar kryetarin e Stambollit, Ekrem Imamoglu me më shumë se dy vjet burg dhe e ka ndaluar atë nga politika, një veprim që mbështetësit e tij e kanë përshkruar si një përpjekje të motivuar politikisht për të mënjanuar një rival të profilit të lartë të presidentit, Recep Tayyip Erdogan.
Bëhet e ditur se Ekrem Imamoglu është dënuar me dy vjet, shtatë muaj e 15 ditë burg pasi tre vite më parë i kishte quajtur anëtarët e këshillit suprem zgjedhor të Turqisë “budallenj”.
Imamoglu nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore të mbajtur dhe pritet të apelojë kundër vendimit.
Vendimi për burgosjen e tij përfaqëson hapin e fundit në një goditje ndaj figurave kryesore të Partisë Popullore Republikane (CHP), që është edhe sfiduesja kryesore e Erdoganit në zgjedhje që pritet të mbahen brenda gjashtë muajve. Në fillim të këtij viti edhe kryetarja e degës së kësaj partie në Stamboll Canan Kaftancioglu ishte dënuar me pesë vjet burg dhe i janë ndaluar aktivitetet politike, nën akuzën për fyerje të Republikës së Turqisë dhe Erdoganit në Twitter.
“Vullneti i 16 milionë stambollitëve është në gjyq”, ka deklaruar zyra e kryetarit pak përpara dënimit të Imamoglu, duke shtuar se, “ata po kërkojnë të privojnë kryetarin e Stambollit nga të drejtat e tij politike”.
Më pas, Imamoglu u është drejtuar mbështetësve që ishin mbledhur para godinës së bashkisë duke thënë se, “ky vendim është një turp për gjyqësorin turk.”
“Është shprehja më e fortë e faktit që gjyqësori është shndërruar në një instrument për të ndëshkuar disidentët. Është dëshmi se pushtetarët e këtij vendi nuk kanë synim të sjellin drejtësi dhe demokraci në vend”.
Ai më tej ka thënë se: “Ne nuk do të përkulemi para këtij korrupsioni. Këto lloj lojërash nuk do të më pengojnë – nuk do të zhgënjehem apo të dorëzohem.”
Ndërkohë, mbështetësit e tij janë dëgjuar të thërrasin, “një ditë AKP [Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit] do t’i përgjigjet njerëzve” dhe “të drejta, ligj, drejtësi” ndërsa kanë valëvitur flamujt turq.