Bashkëshortja e të dyshuarit ka pranuar gjithçka: zbardhet vrasja në Gostivar – bashkëshorti gënjeu, kamerat e kapën “Fiatin” me të cilin u rrëmbye gruaja
Rasti i zhdukjes dhe vrasjes së 53-vjeçares H.A. nga fshati Raven i Gostivarit është plotësisht i zbardhur, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme. Bashkëshortja e të dyshuarit S.M. ka pranuar se burri i saj e ka qëlluar me armë gruan dhe ka treguar se ku e kanë varrosur trupin, ndërsa S.M. më herët kishte dhënë deklaratë të rreme në polici.
Sipas policisë, provat kryesore kanë dalë nga kontrolli i kamerave të sigurisë dhe listat telefonike, të cilat kanë konfirmuar lëvizjet e të dyshuarit dhe automjetin që ai ka përdorur. Kamerat kanë regjistruar momentin kur viktima më 7 dhjetor hipën në një veturë “Fiat” – hera e fundit që është parë gjallë.
Zhdukjen e saj e kishte raportuar i biri, 34-vjeçari J.M., i cili ka treguar se dy ditë më herët S.M. kishte hyrë me forcë në shtëpinë e tyre, kishte kontrolluar dhomat dhe ishin vërejtur para të vjedhura. Po atë natë, gruaja ishte bërë e pakapshme në telefon.
Trupi i H.A.-së është gjetur mbrëmë, i varrosur në një gropë në afërsi të fshatit. Pas mbledhjes së provave dhe marrjes në pyetje të personave të përfshirë, bashkëshortja e S.M. ka pranuar se ai e kishte vrarë me armë zjarri dhe se e kishte ndihmuar për ta fshehur trupin.
Më 11 dhjetor, në orën 02:15, policia arrestoi S.M. nën dyshimin për rrëmbim dhe vrasje. MPB publikoi gjithashtu video materiale të lidhura me rastin.
Hetimet po vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht motivin, rrethanat dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.