Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka bërë të ditur se më 15 dhjetor 2025, rreth orës 11:00, stacioni policor në Fushë Kosovë ka pranuar informacion lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri. Sipas policisë, dyshimet sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në territorin e Ferizajt.
Borovci theksoi se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit. Specialistët e policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, po punojnë intensivisht për identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, policia ka iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës gjatë gjithë procesit hetimor.