Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pasi atij iu është shpërndarë një deklaratë në rrjete sociale nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani, se Kuvendi i Kosovës duhet të shpërbëhet menjëherë pasi nuk arrin të zgjidhet çështja e presidentit.
Murati me anë të një deklarimi në ‘Facebook’ ka thënë se deklarata e tij vlen për situatën e zhvillimit të tri raundeve të votimit dhe në rastin kur asnjë nga kandidatët s’ka marrë 61 votat e nevojshme, shkruan Insajderi.
“Sado që ndjehem i nderuar që deklarata ime qenka marrë si referencë juridike nga kabineti i Presidentes, më duhet ta sqaroj përsëri që deklarata ime vlen për situatën ku pasi janë zhvilluar 3 raunde votimi dhe asnjë kandidat nuk ka marre 61 vota, shpërndahet Kuvendi dhe shkohet në zgjedhje, sipas Nenit 86 (6) të Kushtetutës. Mirëpo dekreti i lëshuar dje nuk është marrë mbi bazën e Nenit 86 (6), por mbi bazën e Nenit 82 (1.3)”, deklaroi ai.

Murati e ka quajtur dekretin anti-kushtetues, meqë sipas tij, neni 82, pika 1.3, parasheh 60 ditë afat që nga nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit, para se të shpërndahet Kuvendi.
“Prandaj në mënyrë që dekreti të qëndronte, NUK do duhej të merrej në ditën e dytë, por tek pasi të ishin konsumuar 60 ditë, siç e përcakton Kushtetuta. Kësisoj, dekreti është në shkelje të Kushtetutës”, ka deklaruar Murati.
Kabineti i Osmanit ka shpërndarë të shtunën një deklaratë të Muratit teksa thoshte se nëse nuk zgjidhet presidenti ose presidentja e re deri më 4 mars duhet të shpërndahet Kuvendi.
“Më 4 mars duhet me e zgjedhë presidentin ose presidenten e re. Nëse nuk zgjidhet duhet me u shpërnda kuvendi apo jo”, ishte shprehur Murati javë më parë, sipas videos së publikuar në rrjete sociale nga këshilltaret e Osmanit, Donika Kadaj dhe Egnesa Vitia. Videon e shpërndau edhe shefja e stafit, Learta Hollaj.
VV’ja ka paralajmëruar se do ta çojë në Kushtetuese dekretin e presidentes.