Kovaçevski: Shtetësia për Onishçenkon, e hidhur

news
Advertisement

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, paralajmëron përgjegjësi për lëshimet e bëra për shtetësinë e ukrainasit pro rus dhe kontrovers Onishçenko. Kovaçevski thotë se është i hidhur fakti që një shtetasi i cili është në listë të zezë amerikane, t’i jepet shtetësi e vendit tonë.

Advertisement

“Do të thosha është e hidhur mënyra me të cilën, një person që është në listën e zezë të SHBA-së, partnerit tonë strategjik, i ka marrë të gjitha mendimet pozitive për marrjen shtetësisë së Maqedonisë së Veriut. Ajo që është përgjegjësi e Agjencisë për Siguri Kombëtare është që të zbatojë hetim gjithëpërfshirës në brendësi të saj për atë se si është zbatuar procedura dhe për këtë ta informojë Qeverinë në Seancë të mbyllur pasi bëhet fjalë për informata sensitive. Lidhur me përgjegjësinë po, sa të ketë raport patjetër të ketë përgjegjësi për atë që është bërë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Nga opozita thonë se pushteti duhet patjetër të mbajë përgjegjësi. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski thotë se, derisa pushteti akuzon opozitën se është anti-evropiane, LSDM dhe BDI bashkëpunojnë me biznesmenë pro rus të cilët janë në listën e zezë të SHBA-së.

“I pari që duhet të mbajë përgjegjësi është drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, por gjithashtu nga këtu nuk duhet të përjashtohen edhe ministri i Punëve të brendshme dhe kryeministri. Drejtori i ASK-së duhet të mbajë përgjegjësi sepse nuk kanë bërë kontrolle përkatëse të shtetësisë, ndërsa ministri i punëve të jashtme sepse, të kujtoj se i qëndron afera për 215 pasaporta për aq sa dimë pasi mund të jenë më tepër për kriminel botëror, për tregtarë të drogës, për mashtrues, vrasës të cilët kanë pasaportë maqedonase”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, VMRO-DPMNE.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në deklaratën e fundit ka thënë se është fakt që rasti Onishçeko ka rrënuar kredibilitetin edhe të shtetit edhe të Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe se partneriteti me SHBA-në nuk lejon të ketë situata që e sjellin vendin në situatë të këtillë. Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, dje në Kuvend pranoi se ASK ka bërë lëshim në dhënien e shtetësisë për shtetasin e dyshuar ukrainas Oleksandar Onishçenko. Dimovski tha se lëshimin e ka bërë njëri nga shefat e sektorëve të cilët bëjnë kontrollimet e aplikuesve për shtetësi por pa dhënë detaje se kush është ai./Alsat.mk

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.