Si e lidh gazetari kroat Vuçiqin me “SARJEVO SAFARI”: AKUZA TË RËNDA ARRITËN NË PROKURORINË E MILANOS

News

SKANDAL I RI NË BALLKAN – GAZETARI KROAT E LIDH PRESIDENTIN SERB ALEKSANDAR VUÇIÇ ME “SARJEVO SAFARI”: AKUZA TË RËNDA ARRITËN NË PROKURORINË E MILANOS

Një stuhi e re akuzash po godet rajonin, pasi gazetari hulumtues kroat Domagoj Margetiq ka dorëzuar në Prokurorinë e Milanos një kallëzim penal kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e lidhur atë me skandalin e njohur si “Sarajevo Safari” – një ndër episodet më të errëta të luftës në Bosnje.

Sipas kallëzimit, ekzistojnë “indikacione serioze” se Vuçiq jo vetëm ka qenë i pranishëm në njësitë paraushtarake serbe gjatë viteve 1992–1993 në Sarajevën e rrethuar, por edhe se ka ndihmuar dhe orientuar të huaj që vinin për të vrarë civilë për “argëtim” në zonën e Varrezave Hebraike – ku forcat serbe kishin pozicionet kryesore të snajperëve.

Margetiq: “Kam dorëzuar prova – video, foto dhe dokumente nga koha e luftës”

Në deklaratën për mediat, Margetiq thotë se i ka dorëzuar prokurorëve italianë videomateriale, fotografi, audio-incizime dhe dokumente të asaj periudhe, që sipas tij, e lidhin Vuçiqin me njësinë e komandantit të njohur paraushtarak, Slavko Aleksiq.

Në kallëzim përmendet edhe dëshmia e Vojisllav Sheshelit, aleatit politik të Vuçiqit, dhënë në Hagë, ku ai ka pohuar se Vuçiq ka qenë në njësinë e Aleksiqit. Një tjetër dëshmitar po ashtu ka deklaruar se “Vuçiq, si student, kishte ardhur si vullnetar i armatosur në Bosnje”.

Video e Vuçiqit me snajper?

Margetiq përmend edhe një videoincizim ku, sipas tij, shihet Vuçiq me snajper në afërsi të pozicioneve serbe në Sarajevë. Ai pretendon se Vuçiq dhe një person tjetër i njohur si Zak Novak ishin të vetmit që flisnin gjuhë të huaja – ndaj, sipas tij, mund të kenë qenë udhërrëfyes për “turistët snajperistë” të huaj.

Vuçiq nuk ka reaguar për akuzat e reja

Serbia nuk ka dhënë koment zyrtar.
Vuçiq më herët, në një intervistë në vitin 2021, ka mohuar kategorikisht se ka shtënë ndonjëherë mbi Sarajevën e rrethuar, duke i quajtur akuzat “manipulime politike”.

Çfarë është “Sarajevo Safari”?

Skandali shpërtheu nga raportimet se snajperistë të pasur nga Italia, Gjermania, Franca dhe vende të tjera perëndimore paguanin shuma të mëdha për t’u dërguar në pozicione snajperësh rreth Sarajevës dhe për të qëlluar civilë gjatë rrethimit 4-vjeçar (1992–1996).
Mbi 10.000 njerëz u vranë në Sarajevë, midis tyre shumë fëmijë.

Prokuroria e Milanos po heton

Hetimet në Itali kanë nisur zyrtarisht, me qëllim identifikimin e qytetarëve italianë që kanë marrë pjesë në sulme. Nëse provohet se kanë vrarë civilë, ata do të gjykohen për vrasje me paramendim me rrethana rënduese.

Hetimi është nisur pas kallëzimit të shkrimtarit italian Ezio Gavaceni dhe raportimit të ish-kryetares së Sarajevës, Benjamina Kariq.

Gavaceni thotë se në grupet e snajperistëve kishte “shumë italianë, gjermanë, francezë, anglezë… njerëz të pasur që shkonin aty për adrenalinë dhe kënaqësi personale, jo për arsye politike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *