Mesazhi i fundit i Presidentit Rugova, për 28 nëntorin

news
Advertisement

Para 10 vitesh, në nëntor 2005, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, u ka drejtuar për herë të fundit qytetarëve të Kosovës mesazhin e urimit me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit:

Advertisement

“Qytetarë të nderuar të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta për Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin.

Sot të gjithë e themi me krenari se 28 Nëntori i vitit 1912, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë gjithëshqiptare që u përgjysmua, është dita më e rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë, pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që këtë vit bie në 600-vjetorin e lindjes së Tij.

Dhashtë Zoti që sa më shpejt të gëzojmë njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga miqtë tanë, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës.

Zoti e bekoftë Ditën e Flamurit!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Dr. Ibrahim Rugova

President i Kosovës

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, ka thënë shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjitjhshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen gjithsesi në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë, theksonte Presidenti Rugova, dhe shtonte se, kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova, Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991 e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve.”

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës të shndërruar në seli të institucioneve të Republikës së shpallur.

“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte ai në një intervistë poashtu ekskluzive për media.

Edhe në këtë festë të madhe të 28 Nëntorit dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

Ibrahim Rugova lindi në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Në 21 janar 2006, kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmës për Kosovën shtet euroatlantik.

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.