Analisti politik Shenoll Muharremi ka bërë një reagim në të cilin argumenton se skena politike në Kosovë gjendet në një fazë të thellë tranzicioni dhe se, sipas tij, korrigjimi elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) është i domosdoshëm për të rikthyer funksionalitetin institucional dhe stabilitetin politik.
Muharremi vlerëson se për të siguruar funksionimin normal të institucioneve, LVV duhet të bjerë në rreth 300 mijë vota, duke theksuar se rritja e lartë e saj në zgjedhjet e shkuara ka prodhuar “arrogancë politike” dhe ka vështirësuar bashkëpunimin ndërpartiak.
Për me pas stabilitet dhe institucionet funksionale, LVV duhet me ra në 300k vota ose më pak me 28 dhjetor. Sistemi nuk po funksionon më dhe prandaj jemi në kriza, bllokada dhe jemi në tranzicion. Sa më shumë fiton LVV, aq më e gjatë është bllokada dhe kriza. Pse? Për shkak se ajo më kurrë nuk mundet me fitu e formu institucionet vetë pa bashkëpunim dhe kompromise me partitë tjera. Sa më shumë fiton, bëhet më arrogante dhe jo-racionale për bashkëpunim dhe anasjelltas.
Tash na duhen jo vetëm 61 vota të deputetëve, por 81 për shkak të pozitës së Presidentit të Kosovës. E në këtë frymë, LVV kurrë nuk mundet me i fitu 70%, po as 50%. As 40% mesiguri nuk i fiton më, se trendi i saj i rënies dhe korrigjimit nga kulmi i lartë ishte 0.87 pikë përqindje për muaj herën e fundit që kishim matje. Matjet e fundit kanë treguar një përkrahje në rajonin 37%-35% të LVV-së.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet me përshpejtu tranzicionin dhe sa më shpejt aq më mirë, për shkak se nuk ka rrugë tjetër. Sa më modeste të jetë LVV më % të votave, aq më shumë do të kemi frymë të kompromisit dhe bashkëpunimit. Vlera e lartë e votave e bënë Kurtin kokëfortë dhe jobashkëpunues, e vlera më e ulët e ulë në tavolinë dhe e detyron me bashkëpunu me tjerët për me kalu kriza.
Mos harroni që për me u kriju institucionet dhe me përfundu kriza e thellë politike dhe ekonomike duhet me pas bashkëpunim mes së paku 2 nga tri partitë kryesore, por preferohet një koalicion edhe më i gjërë. E kompromisi i LVV duhet me qenë pozita e Kryeministrit në shkëmbim për pozitën e presidentit për Kurtin. Sado që partitë ju thonë në fushatë e zgjedhje “ata dhe ne”, pas zgjedhjeve kanë me u pajtu dhe kanë me qenë bashkë.