Rregulla të reja për parkim në Tetovë, ja çfarë duhet të dini që të mos gjobiteni

news
Advertisement

Rregulla të reja dhe më të ashpra të ndërmarrjes Parkingjet e Tetovës, me qëllim të vënies së një rendi më të madh në qytetin e Tetovës. Shërbimi merimangë do të intensifikojnë punën e tyre, duke ngritur makinat të cilat janë të parkuara në hapësira publike, mes pallateve të banimit por edhe në rrugët dytësore, të cilat nuk janë të parapara për t’u parkuar makinat. Drejtori i ndërmarrjes për parkim të qytetit, ka theksuar se banorët duhet të bashkëpunojnë më shumë dhe të paraqesin çdo makinë e cila duke u parkuar pengon qarkullimin e lirë, apo bllokon vend parkimin e banorëve të pallateve apo punëtorive. “Këtë e menduam me qëllim që të ndihmojmë jo atyre që pengojnë, por që do të dënohen ata që bëjnë shkelje. Njeriu ka paguar për një, dy apo tre orë dhe nuk mund të del nga parkimi i tij që ka paguar shkaku se dikush ia ka zënë rrugën dhe ka ikur për kafe apo për të bë pazar”, deklaroi Igor Dodevski, Drejtor i NP “Parkingjet e Qytetit”.

Advertisement

Nga ndërmarrja e parkingjeve të qytetit janë lavdëruar se kanë krijuar rreth 300 vende të reja të parkimit, ndërsa për theksimin apo lyerjen e vendeve për parkim ku është zhdukur ngjyra pothuajse tërësisht, u arsyetuan se shkaku i krizës këto punime do të mbeten për vitin e ardhshëm. Ndërmarrja për parking premtoi sërish ndërtimin e garazheve në kate për vitin e ardhshëm, por pa e sqaruar se prej nga do të sigurohen këto mjete.

“E dini që këtë vit patëm dy palë zgjedhje, kriza e këshillit e tjera, por shpresojmë se 2023 do të jetë vit më i mirë për këtë punë, jo vetëm ato vende por edhe krijimin e më shumë vendeve për invalidët me shenja dhe lyerje të parkimeve. Po ashtu edhe sa iu përket garazheve në kate, vitin e ardhshëm në prill apo maj, do të fillojë ndërtimi i garazhit të parë në kate që do të jetë tek tregu”, tha Igor Dodevski, Drejtor i NP “Parkingjet e Qytetit”.

Qyteti i Tetovës, me vite të tëra po përballet me kaos rreth parkimit të makinave të cilat, sidomos gjatë verës, shpesh ndodh që të bllokojnë edhe aortat kryesore të qytetit, si pasojë e numrit të madh të makinave krahasuar me numrin e vogël të vendeve për parkim. /Alsat.mk

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.