Presidenti serb Aleksandar Vučić deklaroi mbrëmë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot në Paris do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron dhe do t’i paraqesë dy kërkesa, nga të cilat njëra është “shumë e rrezikshme”. Ai u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve botërorë “të mos luajnë me këtë”.
Vučić, në televizionin Prva, tha se Kurti do të kërkojë nga Macron që NATO të largohet nga zona tokësore e sigurisë në veri të Kosovës dhe që Franca ta mbështesë këtë, në mënyrë që Prishtina “të mund të dërgojë të ashtuquajturat Forca të Sigurisë së Kosovës në zonën tokësore të sigurisë”. Ai e cilësoi këtë si një kërkesë “shumë të rrezikshme”.
“Shpresoj që askush në NATO të mos mendojë ta mbështesë një kërkesë të tillë, jam i sigurt që miku im Macron nuk do ta mbështesë. Kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, ndaj popullsisë sonë, ndaj gjithë Serbisë dhe jam pothuajse i sigurt se kjo nuk do të ndodhë”, tha Vučić.
Ai shtoi se Kurti do të kërkojë gjithashtu nga Macron që Franca ta kushtëzojë Serbinë që të mos e përdorë kurrë armët e saj kundër shqiptarëve.
Vučić deklaroi se pret që në Serbi, për Vidovdan, të prodhohen robotët e parë.
“Pres që të kemi robotët e parë të prodhuar në territorin e Republikës së Serbisë për Vidovdan. Brenda tre muajsh. Në to do të shkruajë se janë prodhuar në Serbi”, tha ai.
Ai gjithashtu deklaroi se në Beograd do të ketë makina fluturuese gjatë ekspozitës së specializuar Expo 2027.
Sipas tij, me urdhër të një shteti të caktuar që nuk deshi ta përmendë, është formuar një aleancë ushtarake mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, e cila, sipas tij, është drejtuar drejtpërdrejt kundër Serbisë.
“E dija çfarë po përgatitej, ata formuan një aleancë ushtarake. Zagrebi kurrë nuk do të pajtohej nëse nuk do të kishte ardhur një urdhër, nuk do të them nga cili shtet”, tha ai.
Presidenti Vučić theksoi se nuk dëshiron më ndarje mes popullit dhe bëri thirrje për zgjedhje të qeta dhe demokratike në dhjetë komuna, të cilat do të mbahen më 29 mars.