Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e punonjësit të policisë Arjan Tase pas vrasjes së 7-vjeçares gjatë ditës së djeshme në plazhin e Potamit në Himarë. AMP shpjegon edhe rrethanat e ngjarjes së rëndë duke theksuar se Tase fillimisht ishte afruar me skaf pranë zonës së mbushur me pushues në kundërshtim me rregullat e lundrimit në det dhe gjatë momentit që ka tentuar të rikthejë skafin në ujë ka bërë disa manovra të rrezikshme duke goditur me pjesën e pasme të skafit 7-vjeçaren, e cila pësoi vdekjen e menjëhershme për shkak të plagëve të marra.
AMP shprehet se e ka kategorizuar ngjarjen si “vrasje nga pakujdesia”, ndërkohë që kujdeset të tregojë se skafi i fuqishëm me 2 motorë nga 300 kuaj fuqi ishte me dokumente të rregullta, ndërkohë që mungon informacioni mbi pronësinë e tij dhe rrethanat e marrjes në përdorim nga Arjan Tase.