Data 20 dhjetor pritet të shënojë një moment vendimtar për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), duke u perceptuar si një pikë kthese mes reformimit të thellë dhe vazhdimit të rënies politike. Pas disfatës së ndjeshme në zgjedhjet lokale, partia ndodhet përballë asaj që cilësohet si një provë historike, ku ndryshimet rrënjësore në strukturën drejtuese konsiderohen thelbësore për mbijetesën dhe rikthimin politik.
Megjithëse Ali Ahmeti pritet të vazhdojë në krye të partisë, burime të portalit TS bëjnë të ditur se lideri i BDI-së ka vlerësuar se pa largimin e figurave të konsumuara politikisht dhe të komprometuara në perceptimin publik, procesi i reformimit nuk mund të jetë real dhe funksional.
Sipas të njëjtave burime, pikërisht këto figura, për shkak të jetëgjatësisë së tyre politike dhe veprimeve të përsëritura ndër vite, kanë ndikuar negativisht në imazhin e partisë dhe në humbjen e besimit tek elektorati.
Portali TS raporton se Ali Ahmeti ka përgatitur një listë fillestare emrash që pritet të largohen nga kryesia e partisë, me synimin për t’i hapur rrugë kuadrove të reja, profesionale dhe pa ngarkesë negative politike. Në mesin e emrave që përmenden për largim janë: Fatmir Dehari, Musa Xhaferi, Xhevat Ademi, Teuta Arifi, Ramiz Merko, Sadulla Duraku dhe Resi Abdurrahmani.
Largimi i këtyre figurave nga strukturat drejtuese shihet si sinjali i parë konkret për një reformë të thellë dhe për ndërtimin e një BDI-je më funksionale dhe më të besueshme në sytë e opinionit publik. Sipas TS-së, kjo listë nuk konsiderohet përfundimtare.
Më 20 dhjetor pritet gjithashtu një valë më e gjerë riorganizimesh dhe shkarkimesh, ku një numër i konsiderueshëm figurash aktuale do të zëvendësohen me kuadro të rinj, të pakonsumuar politikisht dhe me kredibilitet publik.
Burimet theksojnë se qëndrimi i gjatë i disa figurave në majat e partisë ka krijuar perceptimin e një strukture të mbyllur dhe të ngurtë, e cila ka vështirësi të reformohet dhe të ofrojë perspektivë, veçanërisht për rininë.
Po ashtu, sipas informacioneve të portalit TS, ndërhyrje dhe ndryshime priten edhe në degët lokale të partisë, ku disa kryetarë aktualë do të zëvendësohen me figura të reja. Qëllimi i këtyre lëvizjeve është që BDI, në zgjedhjet e ardhshme, të rikthehet si një forcë dominuese politike dhe si një parti që reflekton energji të re, shpresë dhe besueshmëri.