Vuçiqi: Po bëjnë gjithçka për ta anëtarësuar Kosovën në OKB

news
Advertisement

“Ndërkombëtarët po përdorin të gjitha mjetet për ta bërë Kosovën anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. Kështu u shpreh presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në eventin për 123-vjetorin e themelimit të Agjencisë së Inteligjencës për Siguri, ku përmendi sërish presionin e madh dhe kërcënimet që sipas tij ushtrohen ndaj të gjithë shtetit “për të pranuar pavarësinë e Kosovës në këmbim të një dhurate të vogël”. Ai nënvizoi se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë do të kënaqte Bashkimin Europian vetëm për 3 ditë, pastaj thotë se Brukseli do të pyeste Beogradin nëse do të rreshtohet në anën e duhur të historisë.

Advertisement

“Dhe ajo ana e drejtë e historisë ka pak të bëjë me argumentet, por duhet që ju të jeni në anën e tyre. Ajo anë ju thotë të hiqni dorë nga Kosova, sepse vetëm atëherë do të merrni një dhuratë të vogël. Por nëse mendon të refuzosh, atëherë jeni në telashe. Ky nuk është një kërcënim vetëm ndaj presidentit të Serbisë, por haptazi ndaj të gjithë vendit dhe mbijetesës së tij”, tha presidenti serb.Vuçiç tha se viti 2024 nuk është përmendur si afat i fundit për arritjen e marrëveshjes finale mes Serbisë dhe Kosovës, ndërsa komentoi edhe propozimin franko-gjerman për të përmbyllur dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

“Kur flisni për planin Scholz-Macron, të gjithë flasin për të, por askush nuk e ka parë. Të gjithë tashmë kanë një mendim dhe e kanë shprehur publikisht qëndrimin e tyre. Por askush nuk e ka idenë se çfarë thotë, por mjafton për të bërë një deklaratë.”Presidenti serb tregoi se sa janë fuqizuar aftësitë e spiunazhit dhe kundërzbulimit duke treguar dhe disa detaje.

“Beogradi ka qenë si Kazablanca në javët e fundit. Kur kemi mysafirë nga Rusia, zbulojmë ata nga shërbimet perëndimore që i ndjekin. Kur kemi mysafirë nga perëndimi, atëherë ka të tjerë që i ndjekin nga afër. Kjo vetëm tregon se sa të interesuar janë të gjithë jo vetëm për njëri-tjetrin, por edhe për këtë tokë, të cilën do të donim ta ruanim për vete.”

Ndërkohë, më herët, ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin, konfirmoi se Serbinë nuk po e lidh më asgjë me Bashkimin Europian dhe sugjeroi se e ardhmja duhet të shihet me Rusinë dhe Kinën. Gjithashtu, foli me tone të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, duke thënë se Albin Kurti është një frikacak, madje për të përdori termin racist “shqiptari” dhe pretendoi se Prishtina do të tentojë të pushtojë veriun e Kosovës me dhunë dhe forca speciale./a2

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.