HAGË: GJYKIMI NDAJ ISH-KRERËVE TË UÇK-SË NË FAZËN FINALE, SEANCAT PËRFUNDIMTARE NISIN MË 9 SHKURT
Procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po i afrohet fundi. Javën e ardhshme, gjykimi hyn në fazën e fjalëve përfundimtare të palëve, ku secila do të paraqesë argumentet finale para trupit gjykues.
Nga 9 deri më 18 shkurt, pritet të mbahen seancat përmbyllëse, duke filluar me prokurorinë, më pas me trupin gjykues dhe mbrojtjen, ndërsa në fund do të mbajnë fjalimet e tyre edhe katër të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Bashkëluftëtarët e tyre shprehen optimistë dhe presin që lirimi nga paraburgimi të ndodhë sa më shpejt.
Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se, pavarësisht një procesi që ai e quan të padrejtë, mbrojtja ka qenë shumë e fuqishme dhe bindëse me dëshmitarët e saj.
“Presim që fjala përfundimtare do të jetë e prokurorëve, e avokatit të viktimave që s’ka pas fare, me 16 dhe 18 është fjala përfundimtare e presidentit dhe të tjerëve, bacit Jakup, Rexhepit dhe Kadrisë, presim nga mbrojtja e cila do të jetë ajo e cila besoj do të jetë e fuqishme që do ti mbroj të gjitha pikat e aktakuzës mbrojtja do ti hedh poshtë, kështu besojmë dhe të ardhmen, shpejtë, këtë vit maji apo mund të jetë para maji presim verdikt pozitiv për lirimin e tyre, unë e di që këta i kanë nga 20 minuta secili me fol, nuk mjaftojnë 20 minuta, por më mirë pak se hiç”, tha për RTK, Hysni Gucati.
Edhe monitoruesit e procesit vlerësojnë se epilogu i gjykimit është afër dhe se, bazuar në dëshmitë e deritanishme, lirimi i katërshes do të ishte vendimi i duhur.
“Prej procesit kemi parë një aktakuzë shumë të dobët qe përfaqësim shumë të dobët nga ana e prokurorisë, nëse masim dëshmitë ato që kanë qenë publike të mbrojtjes me të prokurorisë, dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë shumë më shumë kredibil që kanë pas shumë më shumë info për procesin për çka ka kaluar Republika e Kosovës, lajm i mirë është që kemi ardhur në fund dhe besoj në muajt në vazhdim mund ta dimë epilogun e gjithë këtij procesi”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD.
Se mbrojtja ka bërë një punë të jashtëzakonshme, e vlerësojnë edhe njohësit e ligjit. Avokati Ardian Bajraktari thekson se prokuroria nuk ka arritur t’i dëshmojë pikat kyçe të aktakuzës.
“Sa i përket dëshmitarëve në theks të veçantë atyre të mbrojtjes e kemi thënë në krye të herës që dëshmitë e tyre kamë qenë jashtëzakonisht të besueshme, jashtëzakonisht relevante për procesin për çka natyrisht i ka bërë dëshmitar okular, dëshmitar të rëndësishëm dhe dua të besoj që trupi gjykues do ti marr në konsideratë këta dëshmitarë dhe për rrjedhojë në bindjen time elementet esenciale nuk kanë arrit me u argumentu është çështja e zinxhirit të hierarkisë komanduese”, tha Ardian Bajraktari.